Abedin Kaja
Takimi i djeshëm i qytetarëve beratas me poetin Xhevahir Spahiu, nuk ka qenë si të gjithë të takimet e tjera. Ai nuk ka qenë thjesht takim me poetin, por festë për ardhjen e poetit mes tyre. Berati, qyteti që poeti Spahiu e quan kryeqytetin e dytë të skraparllinjve, e priti atë si princ, sepse i tillë është njeriu dhe poeti Xhevahir Spahiu. Në fakt ka qenë aktiviteti për promovimin e librit monografik “Sfidat e poetit”, me autor Nuri Dragoj, ai që kishte mbledhur në bibliotekën “Vehxhi Buharaja” shumë qytetarë beratas (brenda të cilit shkrihen edhe skraparllinjtë), artistë, shkrimtarë, e miq të poetit. Poeti Xhevahir Spahiu është konsideruar si njeri i racës së rebeluar të poetëve, i zemëruar nga padrejtësitë që i bëhen kombit, me diktaturat e diktatorët, me imoralitetin e politikanëve, etj. Në librin “Sfidat e poetit”, autori Nuri Dragoj, rrëfen jetën dhe veprimtarinë krijuese të poetit “rebel ndaj të keqes, ndaj padrejtësisë” siç e quan Dritëro Agolli. “Poezitë e Xhevahirit kanë qenë gjithmonë një farë melhemi, shpirtëror për hallet e përditshme të njerëzve dhe njëkohësisht, ato kanë qenë si ato vaksinat parandaluese, për të ruajtur brezin e ri nga rreziqet e drogës, dhunës apo dëshpërimit”- shkruan Agolli në parathënien e librit.
Në takim folën mjaft të pranishëm, të cilët më tepër se sa për atë se çfarë shkruhej në librin monografi kushtuar akademik Xhevahir Spahiut, shprehnin vlerësimet dhe konsideratat për vet poetin. Në fytyrën e çdo kujt që merrte fjalën lexohej gëzimi që kishin mes tyre poetin, njeriun e anëve të tyre, njeriu që u ka kënduar halleve njerëzore. Me libër në dorë të gjithë i drejtoheshin kalorësit të poezisë për të marrë prej tij një autograf, për tu përshëndetur me të, për të bërë një pozë dhe më pas një shtrëngim duarsh. Të gjithë kërkonin të kishin në shtëpitë e tyre librin që flet për jetën e poetit. Ndonëse druheshin që të mos e lodhnin, pjesëmarrësit e shumtë nuk largoheshin pa marrë një autograf nga i mrekullueshmi Xhevahir Spahiu, si shenjë prej tij. Ndarja me të ishte e vështirë, deri në kufijtë e të pamundurës. Për të nderuar njeriun e letrave, poetin dhe akademikun kishin ardhur enkas nga Skrapari një grup artistësh të cilët në fund të aktivitetit dhanë një koncert me këngë popullore, ku njëra prej tyre i kushtohej Xhevahir Spahiut, poetit të halleve të tyre, sepse poetët të tillë janë, ata jetojnë dhe janë përherë mes halleve të tyre. Dhe në fund të takimit me poetin një kafe e një gotë raki. Kujtime, shaka, humor. Dje në qytetin muze, për beratasit dhe skraparllinjtë, kishte zbritur vet perëndia e poezisë. Sepse se ç’janë poetët e ka thënë Sokrati- “Poetët … kur shkruajnë poezi, një perëndi e veçantë u qëndron pranë …!”