“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” është libri më i ri i autorit Ylli Polovina i cili u promovua paraditen e sotme në mjediset e Bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qytetit të Beratit. “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, është një libër studimor, i cili përfshin 5 shekuj histori të familjes arbërore, për të cilin autori ka punuar disa vite. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, studiues, historianë, qytetarë e të ftuar të tjerë. Aktivitetin e hapi drejtoresha e bibliotekës Valbona Zylytari. Më pas përshëndetën edhe kryebashkiaku Fadil Nasufi. Rreth vlerave të librit artistiko-historik foli autori i këtij shkrimi (Abedin Kaja, gazetari i ‘Gazeta Shqiptare’), i cili ndërsa ka komentuar librin midis të tjerash tha se: “Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, publicisti, historiani, diplomati, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar“ siç është Ylli Polovina.
Vet autori Polovina u shpreh se titulli i librit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, nuk është kundërvënie mes dy personazheve, por përballje, pasi sipas Polovinës, Muzaka ishte i vetmi prijës i madh që e kritikoi Skënderbeun në testamentin e tij dhe që shpërfaq shumë anë të tjera të heroit. “Skënderbeu, Muzakajt i ka pasur të besës, kurse vet Teodorin një mik të tij dhe të atit. Libri është edhe një lloj proteste ndaj vesit të kujtesës afatshkurtër që karakterizon shqiptarët, pasi asnjëherë nuk janë bërë përpjekje që të zbardhet, apo të vijë në vëmendje historia e Muzakajve, por ka pasur një qëndrimi të vazhdueshëm shpërfilljeje, deri në fillimin e këtij mijëvjeçari” – sqaroi Polovina. Më pas shkrimtari Ylli Polovina zhvilloj një bisedë me mësuesit e gjimnazit “Babë Dud Karbunara“ ku vite më parë ka punuar si mësues.