Bashkia Berat, në bashkëpunim me Kompaninë SICALA dhe vullnetarin Camille Saillant dhe me ndihmën e Ambasadorëve të Natyrës pranë Qendrës Rinore Berat ka krijuar shtegun turistik të Kalasë së Goricës. Përgjatë shtegut të kalasë së Goricës janë vendosur panele me informacion në dy gjuhë si dhe stola dhe kosha mbeturinash për një eksperiencë sa më të kënaqshme. Krijimi i shtegut është bërë në përputhje me vlerat mjedisore dhe të trashëgimisë në rrënojat e Kalasë së Goricës, duke përdorur materiale të përshtatshme. Shtegu do t’i ofrojë vizitorëve informacion për natyrën, trashëgiminë, florën dhe faunën e zonës, si dhe një ecje të dobishme për një shëndet të mirë fizik. Ftojmë të gjithë qytetarët ta vizitojnë këtë shteg dhe të tregojnë gjithashtu përgjegjshmëri qytetare ndaj mjedisit dhe këtij investimi, duke e ruajtur dhe duke raportuar në Bashkinë Berat dëmtime të qëllimshme nga qytetarë jo të përgjegjshëm. Falënderojmë për bashkëpunimin, DRKK Berat dhe vullnetarin Alessandro Ferrantello për ndihmën e pakursyer.