Në ditën e dytë të Festivalit Multikulturor, në mjediset e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të qytetit zhvilloi aktivitetin “Vexhi Buharaja dhe dy kolosët e letërsisë perse, Firdusiu dhe Saadiu”.
Takimi u moderua nga përgjegjësi i Bibliotekës Publike, Arben Jaupaj, i cili bëri një përshkrim të shkurtër të jetës dhe veprës së Vexhi Buharasë. Nga profesori i Universitetit të Arteve në Tiranë, Edmond Buharaja, u diskutua mbi përkthimin e kryeveprës së poetit klasik pers Saadi Shirazi, “Gjylistani dhe Bostani” në gjuhën shqipe prej Vexhi Buharasë.
Ndërsa për raportin me kolosin tjetër të letrave perisane, Firdusiun dhe kryeveprën e tij, ciklin epik “Shahnameja”, të sjellë në gjuhën shqipe prej Vexhi Buharasë, u shfaq për të pranishmit filmi dokumentar “Shahnameja dhe Vexhi Buharaja”, prodhim i Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” në Tiranë. Takimin e përshëndetën znj. Muzina Ago dhe koordinatorja e Festivalit Multikulturor, Lediana Hyseni.