Nga datat 18-23 Mars specialistë të Bashkisë Berat morrin pjesë në Udhëtimin Studimor mbi konservimin e Qyteteve Historike dhe Rigjenerimit Urban në kuadër të Iniciativës për Qytetet të Qëndrueshme në Evropë dhe Azinë Qendrore. Kjo iniciativë mbështetet financiarisht nga Banka Botërore e cila këtë vit kishte kontraktuar Fondacionin e Universitetit Politeknik të Milanos për të udhëhequr trajnimin. Në trajnim morrin pjesë zyrtarë të Bankës Botërore të zyrës Qendrore në Uashington, përfaqësues të Bankës Botërore në vendet Evropiane dhe të Azisë Qendrore, si dhe përfaqësues institucionesh nga Shqipëria, Kosova, Ukraina, Rusia, Uzbekistani, Turqia, etj.
Në udhëtim, profesorë të kualifikuar shpjeguan shembuj suksesi në Itali dhe më gjerë si dhe parashtruan parimet dhe politikat bashkëkohore në drejtim të konservimit të qyteteve historike dhe rigjenerimit urban. Shembuj specifik u morën nga Qytetet e Milanos, Bergamos dhe Xhenovas në të cilët specialistët organizuan edhe studime në terren. Gjatë trajnimit specialistët patën mundësi të takonin dhe të shkëmbenin pyetje dhe eksperienca me Drejtoreshën e Zyrës së Urbanistikës në Milano, zv. Kryetarin e Bashkisë së Xhenovas dhe zëvendës kryetarin e Bashkisë së Bergamos.
Trupa e profesorëve të Universitetit Politeknik të Milanos zhvilloi seanca të posaçme me specialistët e Bashkisë Berat në përpjekje për të gjeneruar projekte në fushën e konservimit të trashëgimisë kulturore dhe rigjenerimit urban. Pas konsultimeve të gjera u identifikuan disa projekt ide që mund të konsiderohen parësore në kushtet aktuale të qytetit. Midis të tjerash u vlerësua si mjaft e rëndësishme mbrojtja e shpatit Jugor të Lagjes Mangalem nga rënia e shkëmbinjve, mbrojtja e lagjeve Mangalem dhe Goricë nga zjarret, krijimi i një teleferiku që do të lidh pjesën e poshtme të qytetit me lagjen Kala, rrjetëzimi i lagjes Kala si dhe rigjenerimi i ish zonës industriale të qytetit të Beratit. Në fund të aktivitetit projekt idetë u organizuan në formën e një prezantimi për secilin qytetet. Projekt idetë do të publikohen në faqen e internetit të Bankës Botërore në përpjekje për të tërhequr investitorë dhe donatorë të mundshëm. Vetë Banka Botërore në përcaktimin e politikave të saj të financimit i kushton mjaft rëndësi këtyre projekt ideve të identifikuara dhe përpunuara nga specialistë. Duke u bazuar në politikat e saj, Banka Botërore mund të vendosë që të financojë dy prej projekt ideve të paraqitura nga përfaqësuesit e shteteve.