Dinastia e Qyprillinjve në ish- perandorinë Osmane” është libri që u promovua dy ditë më parë, në mjediset e Bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qytetit të Beratit. Ai është i pari studim shkencor që flet për rolin e dinastisë “Qyprilli” me origjinë nga Roshniku, që drejtuan për një periudhë gati 30- vjeçare Perandorinë Osmane. Po nga kjo dinasti ishte edhe Fuad Qyprilli, njëri ndër të mëdhenjtë e familjes së famshme të Qyprillinjve. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në mjediset e Bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qytetit të Beratit, ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Parlamentit Shqiptar, Namik Dokle, kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, Ylli Polovina, botuesi Naim Zoto, drejtues dhe anëtarë të shoqatës “Mehmet Qyprilli Roshniku” studiues, historianë, qytetarë e të ftuar të tjerë. Aktivitetin e hapi sekretari i shoqatës “Mehmet Qyprili Roshniku” Fehim Ruka. Më pas përshëndetën edhe kryebashkiaku Fadil Nasufi, nënkryetari i Parlamentit Shqiptar, Namik Dokle, studiuesi dhe shkrimtari Ylli Polovina, kryetari i shoqatës “Mehmet Qyprilli Roshniku” Dr. Dervish Hoxha etj. Libri përmban studime për dinastinë Qyprilli të autorëve: Prof. Dr. Kristaq Prifti, Prof. Dr. Petrika Thëngjilli, Prof. Dr. Ferit Duka, Dr. Irakli Koçollari, Prof.Dr.Shaban Sinani, poet Xhevahir Spahiu, Dr. Dritan Egro, studiues Bedri Telegrafi dhe autori i këtij shkrimi. Ky libër deri tani është i vetmi botim me natyrë historike që hedh dritë dhe synon të sjellë imazhin dhe figurën e Qyprillinjve, në një këndvështrim bashkëkohor, sipas metodologjisë moderne. Në temat shkencore autorët kanë shfrytëzuar dokumente të shumta të panjohura më parë dhe të papërdorura deri më sot, duke sjellë për lexuesin sagën qyprilli, që fillon me kryevezirin (kryeministër) e Perandorisë Osmane Qyprilli Mehmet Pasha në vitet 1656-1661, Qyprilli Fazil Ahmet Pasha (1661-1676), Qyprilli Kara Mustafa Pasha (1676-1683), Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691), Qyprilli Hysen Pasha (1698-1702), Qyprilli Numan Pasha (1710, dy muaj e tre ditë) dhe përfundon me Dr. prof. Fuad Qyprilli zv/kryeministër, ministër Shteti dhe ministër i Jashtëm i Turqisë moderne.
Familja
Ndër të parët e kësaj familje me rol të rëndësishëm qeverisës është Qyprilli Mehmet Pasha (1656-1661). Veziri i madh, përuroi një periudhë qëndrueshmërie të qeverisjes, e cila u shoqërua me rivendosjen e prestigjit të Perandorisë Osmane në të gjitha fushat. Në këto vite, që ndryshe janë quajtur edhe “Koha e Qyprillinjve” frenat e pushtetit osman ishin në duart e kësaj familje. Kjo periudhë kohe fillon me sadrazemin (kryeministër) 80-vjeçar Mehmet Pasha dhe vazhdon me disa personalitete nga fëmijët dhe nipërit e tij.
Fazil Qyprilli Pasha (1661-1676), njihet si mbrojtës i njërës prej figurave të njohura hebraike, Zabata Zevi, që në vitin 1666 e shpalli veten si Mesia i Ri. Ky hebre nga Izmiri, i armiqësuar me hebrenjtë e “besimit të vërtetë”, mes tyre edhe rabini i madh ishte dënuar nga të tijët me vdekje, por në vend të dënimit Veziri i Madh urdhëroi që Zabata Zevin ta shpinin në Shqipëri, në vendlindjen e babait të vet, Berat, ku edhe vdiq më 1675 ose më 1676. Në guxim, aftësi dhe shkathtësi ishte i njëjtë si babai i vet. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. Ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate), si në Stamboll, ashtu edhe në Qyprilli. Kishte edhe talent për poezi. Sipas poetit akademik Xhevahir Spahiu, gjatë kohës që Fazil Mehmet Pashë Qyprilliu ishte në krye të veziratit në vitet 1670, ai dërgoi në vendin e të parëve të tij, Berat, (në këtë kohë një nga qendrat më të zhvilluara ekonomike), gjeografin dhe kronikanin e njohur turk, Evelia Çelebiu, i cili shkroi për atë çfarë pa dhe dëgjoi për Beratin dhe beratasit.
Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691). Ai ishte djali i Vezirit të parë Mehmet Qyprili dhe shërbeu 2 vjet e 3 muaj. Ishte djali i dytë i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashës. Ishte edukuar në medresetë turke. Ashtu si vëllai i tij, Fazil Ahmet Pasha, në vend të drejtimit me dorë të hekurt Qyprilli Fazil Mustafa Pasha e zëvendësoi forcën me drejtësinë. Një nga urdhrat e para të nxjerra nga Qyprilliu, ishte të trajtoheshin mirë të krishterët dhe të mos kërkonin prej tyre taksa të tjera veç taksës për frymë. Hameri shkruan këto fjalë: “Nëse shembulli i humanizmit, për të cilin i urti Qyprilli kishte dhënë prova kundrejt të krishterëve nënshtetas të Portës së Lartë, do të ishte ndjekur nga vezirët e mëdhenj, pasues të tij, dhe nëse do të ishin zbatuar masat e tij të reja, atëherë mirësia dhe fuqia do të kishin triumfuar me lehtësi ….” Jean-Claude (“Historia e Shqipërisë”).
Dr. Prof. Fuad Qyprilli, drejtues i Turqisë moderne. Fuad Qyprilli ishte njëri ndër të mëdhenjtë e familjes së famshme të Qyprillinjve. Mori edukim të zgjedhur. U tërhoq pas kulturës perëndimore, letërsisë otomane dhe asaj evropiane. Fliste disa gjuhë: turqisht, frëngjisht, greqisht, persisht dhe arabisht. Fuad Qyprilli ka qenë mik i Mustafa Qemalit (Ataturku). U mor me histori, folklor, letërsi dhe në moshën 23-vjeçare qe profesor universiteti. Kushtrimi i të parëve e tërhoqi në politikë dhe në vitin 1935 u bë deputet. Më 1950, Bajari u bë President, Mendersi Kryeministër dhe Dr. Prof. Fuad Qyprilliu zv/kryeministër, ministër Shteti dhe ministër i Jashtëm. Në debatin për pranimin e Shqipërisë si anëtare e OKB, më 14 dhjetor 1955, ai do të shprehej: “Shqipëria duhej ta kishte përfaqësinë e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB që në vitin 1945, në ditën e themelimit. Tani është nderi ynë t’i ofrojmë asaj vendin e mohuar”. Fjala e tij në këtë takim dilte disi nga fjalimi i zakonshëm i një ministri, por Prof. Dr. Mehmet Fuad Qyprilliu, pinjoll i një familjeje të famshme vezirësh që kishin drejtuar për shumë vite perandorinë turke në shekullin e XVII, nuk mund ta harronte origjinën dhe vendlindjen e të parëve. Kur gazetarët e pyetën pse ai këmbëngulte për pranimin e Shqipërisë në OKB, ai që përgjigjej se me këtë veprim i kishte kthyer atdheut një borxh që familja e vet e kishte marrë me vete ditën e largimit dhe e mbante mbi supe në shekuj. Ai qe një figurë e padiskutueshme e politikës turke dhe një nga njerëzit që ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër për marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ndërtimet
Në fakt, kush më pak e kush më shumë, të gjithë Qyprillinjtë kanë hyrë në historinë e Perandorisë Otomane si ndërtues të mëdhenj. Ata kanë ndërtuar në fshatin e tyre dhe fshatrat përreth një xhami, ura, banja, një mulli të madh bloje çezma etj. Për shkak të zhvillimit ekonomik e kulturor, në kohën e tyre Roshniku kishte hyrë në zonë e zhvilluar dhe quhej kaza (qytezë). Për t’u përmendur janë edhe ndërtimet e pamundura civile në mbarë perandorinë, si xhamitë, vakëfet, shkollat (këto të fundit, sidomos në kohën e Ahmet Fadil Qyprilliut), tregjet, etj, shumë nga të cilat mbajnë ende emrin e Qyprillinjve. Që me ngjitjen e Ahmet Pashës në kreun e ekzekutivit, familja e Qyprillinjve u vendos në Kostandinopojë, në shtëpinë (pallatin) e Qyprillinjve, që gjendet pikërisht në buzë të Bosforit. Pranë pallatit, që ekziston dhe sot e kësaj dite, gjendet edhe biblioteka e Qyprillinjve, e cila mbetet akoma një ndër bibliotekat më të famshme të Stambollit.
Në kohën e Qyprillinjve, arkitekt Kasëmi në vendlindjen e tij, në Gramsh, ka bërë shumë ndërtime si xhami, amaretin dhe banjo publike (hamame). Më tepër arkitekt Kasëmi ka ndërtuar në Berat. Në këtë qytet, ai ka ndërtuar disa çezma, gjë që vërtetohet edhe nga shënimet e historianit turk Çelebiu. Një nga ndërtimet e rralla të arkitekt Kasëmit, e cila është edhe sot në një gjendje të mirë dhe e vetmja që ka ngelur nga kjo periudhë, dëshmi e gjallë e këtij mjeshtëri të madh të artit të të ndërtuarit është Ura e Kasabashit e ndërtuar mbi lumin e Tomorricës. Kjo urë ndodhet rreth 2 km larg nga qyteti i Çorovodës dhe ka një gjatësi prej 26 m, gjerësia e saj është mbi 3 m si dhe ka një hapësirë drite 12 m. Kjo urë ka shërbyer dhe shërben për të lidhur midis tyre disa fshatra të zonës së Tomorricës, vendlindjes së të madhit, kryearkitekt Mimar Kasëmit.
Abedin Kaja