Home / Aktivitete / Inspektimi i punimeve ne shkolla

Inspektimi i punimeve ne shkolla

Bashkia e Beratit angazhoi të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e strukturave të saj për t’iu siguruar nxënësve e mësuesve në këtë fillim të vitit të ri shkollor kushte sa më optimale. Drejtoria e Arsimit e Bashkisë, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike dhe të tjera struktura të këtij institucioni së bashku me drejtuesit e tyre kanë koordinuar punën duke ndjekur në vijimësi ritmet e punimeve në çdo shkollë dhe tashmë konstatojnë se gjithçka është gati për një fillim të mbarë të vitit shkollor. 


Ditën e sotme Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, si dhe përfaqësues të tjerë të Bashkisë ishin në shkollën e Duhanasit, ku përuruan mbylljen e punimeve të kryera në mjediset e brendshme dhe të jashtme të kësaj shkolle, shtrimin e oborrit të shkollës prej 350 m2 me pllaka, rrethimin e tij, krijimin e një këndi të veçantë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore sportive, duke i shndërruar këto mjedise në funksion të plotë të shkollës si qendër komunitare.

Më tej inspektimi i z. Sinaj vazhdoi në gjimnazin “Kristaq Capo”, në të cilin, përveç punimeve të ndryshme të kryera në mjediset e brendshme dhe të jashtme, për nxënësit e shkollës do të jetë gati edhe një fushë basketbolli. Në vazhdim të inspektimit u vëzhguan punimet e kryera edhe në shkollën “Ajet Xhindole”, ku u konstatua se kushtet dhe mjediset për pritjen e nxënësve në 11 shtator janë mëse të kënqshme. 


Kryetari i Bashkisë, z. Sinaj, tha se të gjitha shkollat do të jenë në vëmendjen e vazhdueshme të Bashkisë jo vetëm në këtë fillim të vitit shkollor, por edhe në vazhdim për të krijuar kushte sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor – edukativ. Ai shprehu kënqësinë e tij për punën që është bërë, falenderoi drejtorët e shkollave për bashkëpunimin dhe iu uroi atyre një vit të mbarë dhe të suksesshëm.