Para vitit 1945 Berati nuk ka patur industri agropërpunuese me përjashtim të një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit të ndërtuar në vitin 1941 nga familja e Jani Tutulanit në Berat.
Ullinjtë prodhoheshin shumë, por përpunimi ishte primitive. Vaji nxirrej me ullinj të thjeshtë ose mëngra ku guri shtypës i kokrave vihej në lëvizje me kafshë. Më tepër preferohej për ilaç vaji i nxjerrë duke i shtypur ullinjtë me këmbë.
Përpunimi i rrushit për verë e raki bëhej me metoda të thjeshta familjare. Rakia pas fermentimit të bërsive nxirrej nga kazanë nën presion dhe me ftohje, ndërsa vera nxirrej nga rrushi i zgjedhur serinë e zezë dhe bërsitë fermentoheshin e kulloheshin në fuçi prej lisi dhe prej mëni.
Frutat që teproheshin thaheshin si: fiq, mollë, vathëza, kumbulla etj.., të cilat konsumoheshin nga familja në dimër ose tregëtoheshin. Përgatiteshin edhe reçelna apo liko qershie, ftoi, kumbulle, kajsie, fiku, thane, rrushi, arra. Gjithashtu përgatitej pekmez me rehani rrushi dhe mëni.
Në fshatrat e Beratit, sidomos në ato kodrinore e malore përpunimi i prodhimeve të fruti kulturës ka qenë i hershëm dhe shumë i zhvilluar, sepse përgatisnin një pjesë të ushqimit dhe zahiresë së dimrit. Ndërsa amvisat e qytetit përgatisnin lloj-lloj likosh të shijshme dhe aromatike.
Një pjesë e frutave si ftonj, rrush korith i ruanin të varur nëpër qilarët e freskët dhe i konsumonin në dimër.
Pas vitit 1945 me shtimin e vrullshëm numerike të pemëtarisë u shtua edhe prodhimi i saj. Kjo kërkonte objekte për ti përpunuar. Filluan të ngrihen punishte dhe fabrika me teknoogji moderne për kohen, në të cilat përpunoheshin rrushi, ullinjtë dhe frutat. Fillimisht u hapën punishte në zonat e thella si; Paftal, Allambrez, Bardhaj, Roshnik etj..
Në Berat, përveç fabrikës së vajit “Tutulani”, u hap një repart për konservimin e vajit në lagjen “Murat Çelebiu”
Më vonë në veri të Beratit u ndërtua kompleksi agropërpunuese ose siç quhej Ndërmarrje Ushqimore. Në fillim në vitin 1960 u ndërtua fabrika e konservimit të ullirit. Më vonë në vitin 1961 u ndërtua fabrika e përpunimit të rrushit. Në vitin 1972 u ndërtua fabrika e re e vajit me teknologji të kohës dhe me kapacitet të madh. Në vitet 1975 dhe 1982 u ndërtuan 2 reparte të konservimit të ullirit.
Në këtë kompleks u ndërtuan edhe fabrika të tjera si ajo e përpunimit të perimeve, fabrika e qumështit, e makaronave e tharjes së perimeve, fabrika e bukës etj…
Në Uznovë u ngrit reparti i përpunimit të fikut të thatë roshnikës. Fiku paketohej dhe ambalazhohej direkt për tregun e brendshëm ose për eksport. Në kompleksin agropërpunues të Beratit për vitet 1980-1990, mesatarisht përpunoheshin 1500 ton rrush dhe prodhoheshin 4000 hektolitra verë, 600 hektolitra alkol dhe 500 hektolitra raki.
Fruta gjithsej përpunoheshin 580 ton, nga këto 300 ton fiq të njomë, nga i cili përgatiteshin 250 ton marmalatë dhe 50 ton reçel.
Përveç këtyre në kompleksin agroushqimor gjysma e prodhimit të rrushit dhe pak fruta përpunoheshin në zonat që përmëndën më lart. Mjaft prodhime të përpunuara eksportoheshin nga rrethi i Beratit.
Rreth 50 % e kompostove dhe reçelnave si dhe 80 % e fikut të thatë mesatarisht kalonin për eksport. Nga prodhimet e freskta eksportoheshin rreth 50 ton rrush afusali.
Pas vitit 1990 kompleksi agropërpunues u shpërbë. Disa reparte dhe fabrika u privatizuan ndërsa të tjerat ndryshuan destinacion. Punishtet e zonave u shkatëruan.
Gjatë 10- viteve të fundit emigrantët sollën makineri modern vaji dhe i kanë vendosur në zonat ku ka më shumë ullinj, si në Bilçë, Drobonik, Mbreshta, Paftal, Starovë, Donofrosë, Syzes, Poshnjë, Lapardha, Sheqëz, të cilat i plotësojnë mjaft mirë nevojat e rrrethit. Në të njëjtën kohë u hapën disa punishte dhe familje të vogla private të cilat përpunojne fruta, rrush, fiq te thatë dhe konserva ullinjsh. Të tilla janë firma “Shpiragu”, “Sidej”, Beem”, “Luani”, “Dura”, firma “Alpeti”, firma “Pilo” në Poshnje.
Punishte ka në Lumas, Kuçovë etj..Në Lapardha 2, Bujar Haxhisala ka ndërtuar një fabrikë modern vaji , përpunim frutash dhe rrushi.Aktualisht industria agro përpunuese ka marrë rrugë të mbarë duke prodhuar 40- 50% në shkallë vendi marmalatë, reçel, ullinj të konservuar, konserva, fiq të thatë etj.