Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në bashkëpunim me Bashkinë Berat organizuan nga data 26 deri 27 Prill 2012, në qytetin muze, edicionin e 12-të të Festivalit Folklorik Tipologjik (FFTK) të Këngës Popullore Qytetare. Ky festival këtë vit u organizua edhe në kuadrin 100 – Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë festival merrnin pjesë grupet artistike të qyteteve: Fier, Prizren, Elbasan, Lushnje, Kavajë, Krujë, Peshkopi, Tiranë, Tetovë, Shkodër dhe Berat. Aktiviteti u organizua në Sallën e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” të qytetit të Beratit. Juria e Festivalit ishte e përbërë nga: Prof.Dr Agron Xhagolli studiues folklorik, Klodian Qafoku kompozitor dhe Izet Duraku poet. Në përfundim të festivalit juria vlerësoi me çmim të Parë grupin e këngës qytetare të Beratit, çmimi i Dytë iu dha grupit të Shkodrës dhe me çmim të Tretë u vlerësuan grupet e qyteteve Dibër dhe Lushnje. Për grupin folklorik të Beratit, ky çmim është i dyti radhazi pas atij të fituar një vit më parë në festivalin e zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, çmim që i hapi rrugën zhvillimit të këtij aktiviteti në këtë qytet. Me çmimin e marrë dy netë më parë qyteti i Beratit do të bëhet sërish vendi organizator dhe mikpritës edhe për edicionin e radhës të Festivalit Folklorik Tipologjik (FFTK) të Këngës Popullore Qytetare. Gjithashtu, juria ndau edhe disa çmime mirënjohjeje e karriere si dhe certifikata për këngëtarët më të mirë. Me certifikatë mirënjohje u vlerësua edhe muzikanti i grupit të këngës qytetare të Beratit, Z. Florenc Qafa më motivacionin: “Për kontribut të shquar në përgatitjen e festivalit të këngës popullore qytetare”. Në përfundim të festivalit, Z. Esat Ruka Drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, pasi falënderoi grupet pjesëmarrëse, tha se ai dhe artistët ishin shumë të kënaqur me mikpritjen beratase. Drejtori Ruka ka shprehur falënderime të veçanta edhe për kryetarin e bashkisë Z. Fadil Nasufi, duke e vlerësuar atë si mik të artistëve dhe artit i cili sipas tij është “një derë e hapur që gjithmonë gjen kohën për të bërë më të mirën për artin dhe kulturën”. Kryebashkiaku Nasufi ndërsa ka marrë çmimin e festivalit ka falënderuar artistët pjesëmarrës, publikun, Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, si dhe jurinë e festivalit.
A. Kaja