Dita e Verës, simbol i ringjalljes së natyrës dhe e ripërtëritjes shpirtërore të njerëzve, një traditë që vazhdon t’i japë jetë dhe gjallëri qytetit.
Pikërisht sot, në Ditën e Verës me dhjetëra qytetarë u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta që u organizuan nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me “Enduro Albania” në zonën këmbësore të qytetit dhe në sheshin “Teodor Muzaka”. Admiruesit e motorëve ndoqën motoristët profesionistë në një garë demonstrative të zhvilluar në cirkuitin e improvizuar në qendër të qytetit. Motoristët zhvilluan gjithashtu edhe një paradë me motorë në rrugët e qytetit. Ndërsa adhuruesit e muzikës përcollën me emocion këngët e Aleksandër Gjokës dhe Renis Gjokës, të cilët krijuan një atmosferë vërtet festive në sheshin ”Teodor Muzaka”. Në stenda të ndryshme të sheshit qëndror u reklamuan biznese të ndryshme. Por, për t’i dhënë kuptimin e një feste të vërtetë, organizatorët kishin menduar edhe për barbeque dhe pije të ndryshme, të cilat servireshin në kënde të veçanta të këtij sheshi. Ndërsa në disa pika të zonës këmbësore ishin hapur kënde dhe stenda, ku bëheshin foto të ndryshme, por edhe një stendë e veçantë, ku çdokush mund të dhuronte diçka për qëllime bamirësie.
I pranishëm në aktivitetet e Ditës së Verës ishte edhe Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, i cili falenderoi për bashkëpunimin shoqatën “Enduro Albania”, e cila vjen për herë të parë në Berat, duke krijuar një impakt mjaft pozitiv te qytetarët beratas, ndërkohë që siguroi nëpërmjet kryetarit të kësaj shoqate, z. Gerald Lilaj, bashkëpunim edhe në të ardhmen në të tjera evente.
Tags vera