Home / Aktivitete / Ceremonia e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” znj. Parashqevi Sahatçiu (Salepi)

Ceremonia e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” znj. Parashqevi Sahatçiu (Salepi)

Sot në sallën e konferencave të Bashkisë Berat u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” znj. Parashqevi Sahatçiu (Salepi), akorduar nga ish – Presidenti i Republikës, shkëlqesia e tij, Bujar Nishani, me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të vyer shumëvjeçar në shërbim të ruajtjes dhe evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore duke arkivuar me përkushtim momente të rëndësishme historike, kulturore, etnografike të qytetit – muze të Beratit, pjesë e kulturës botërore”.

Në ceremoninë zyrtare ishte e pranishme Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Teuta Muçogllava, e cila vlerësoi lart kontributin e znj. Parashqevi Sahatçiu (Salepi) si një nga të parat gra intelektuale të qytetit të Beratit. Midis të tjerash znj.Teuta Muçogllava nënvizoi punën e saj shumëvjeçare në evidentimin e vlerave muzeale dhe etnografike të qytetit të Beratit, në fushën e botimeve historike duke pasuruar fototekën e qytetit të Beratit dhe si një studiuese profesioniste në fushën e trashëgimisë kulturore.

Znj. Parashqevi Sahatçiu (Salepi) falenderoi Kryetarin e Bashkisë, z.Petrit Sinaj, që në emër të Bashkisë së Beratit i propozoi Presidencës së Republikës së Shqipërisë dhënien e titullit, si dhe ish-Presidentin e Republikës, shkëlqesinë e tij, Bujar Nishani, për akordimin e tullit “Mjeshtër i Madh”. Ky titull, – tha në fjalën e saj përshëndetëse znj.Parashqevi, – është një nder dhe vlerësim jo vetëm pë mua, por për vlerat dhe trashëgiminë kulturore të qytetit – muze mbi 2400 – vjeçar të qytetit të Beratit. 


( Shënim: Arsyeja e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” znj. Parashqevi Sahatçiut [Salepi] me vonesë ishte qëndrimi i saj disamujor në Kanada.)