Përdorimi i qëndrueshëm i energjisë ka mbledhur në Berat përfaqësues të Akademisë së Studimeve Politike, ekspertë për çështjet e energjisë, krerë vendorë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit. Takimi u organizua nga Akademia e Studimeve Politike (ASP) dhe GIZ Albania, në kuadër të iniciativës rajonale “Dialogu me publikun për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në Evropën Juglindore”. Drejtori i ASP, Erjon Tase, tha se në përputhje me direktivat evropiane dhe paketën e udhëzimeve për energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit, Shqipëria ka vendosur objektiva ambicioze, që synojnë rritjen e efiçencës së energjisë me 9% deri në vitin 2018. “Për të arritur objektivin e rritjes së efiçencës së energjisë, duhet të punojnë së bashku të gjithë sektorët e shoqërisë”, tha Tase. Ndërkohë kreu i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, ka theksuar domosdoshmërinë e përdorimit të lëndëve alternative të energjisë, sidomos për ngrohje.