Në datën 28 Shtator 2012, në qytetin e Beratit u organizua Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Ashtu si edhe në vitet e tjera kjo ditë ishte e pasur me aktivitete kulturore. Sipari i aktiviteteve u hap në Pallatin e Kulturës Margariita Tutulani ku Lektori i Psikologjise se Artit, Z. Qamil Gjyrezi, se bashku me kompozitorin Alfons Zenelin dhe pedagogë nga universiteti i Shkodrës mbajtën një leksion demonstrativ mbi psikologjinë e artit, këngën shkodrane dhe atë Beratase. Më tej aktivitetet u zhvendosën ne Qendrën Mesjetare ku midis të tjerash në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” u organizua një ekspozitë me piktura e titulluar e “E Kuqja e Onufrit”. Më pas aktiviteti vijoi me një performancë muzikore nga orkestra simfonike, demonstrim projektesh restauruese, ekspozitë me foto nga monumentet e Beratit, duke u mbyllur në fund me një kokteil. Në takim merrnin pjesë institucione publike, grupe interesi si dhe banorë të lagjeve historike.