Home / Njoftime / Situata e zjarrit ne Malin Partizan

Situata e zjarrit ne Malin Partizan

Strukturat përgjegjëse në Bashkinë Berat së bashku me Shtabin e Emergjencave kanë mobilizuar të gjitha kapacitetet e tyre, me mjete dhe fuqi punëtore, për përballimin e situatës së vështirë nga rënia e zjarrit në kodrën e gjelbër të qytetit, malin Partizani, si dhe në fshatin Molisht. Qysh dje, në orën 15:30, porsa u sinjalizua për rënien e zjarrit, të gjitha strukturat e Bashkisë janë vënë në lëvizje për ta mbajtur nën kontroll, për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme dhe për të neutralizuar vatrat e zjarrit në zonat e sipërpërmendura. 

 


Në këto zona, kanë qenë aktiv dhe të angazhuar, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dy nënkryetarët, z. Çlirim Brisku dhe z. Bledar Blana, Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Pelivan Sinaj, Drejtori i Bujqësisë, z. Fitim Rrapaj, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, z. Luman Spathara, Administratori i Njësisë Velabisht, z. Mirel Arapi, Drejtori i sh.a U-K Berat- Kuçovë, Refat Harizi, të cilët kanë koordinuar punën e tyre për përballimin e kësaj situate të vështirë. Po ashtu një ndihmë të madhe për fikjen e zjarrit ka dhënë edhe Reparti Ushtarak i Poshnjës.
Që në momentin e konstatimit, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, pasi u njoh me situatën në terren, vuri në dijeni Drejtorin e Emergjencave Civile, z. Shemsi Premçi, të cilit i komunikoi situatën dhe i kërkoi mbështetje nga ajri. Sot në mëngjes nga ora 06:00 u vu në dispozicion një helikopter i cili neutralizoi ato vatra zjarri që kishin mbetur. 

 


Bashkia Berat kërkon nga institucionet ligjzbatuese të marrin në shqyrtim raste të tilla për t’i vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat që bëhen shkak për këto fenomene.
Bashkia Berat iu bën apel të gjithë qytetarëve të saj të tregohen të kujdesshëm në këto ditë të nxehta për të mos shkaktuar situata të tilla, por njëkohësisht i fton ata të solidarizohen konkretisht e të bëhen pjesë e zgjidhjes së shqetësimit mbarëqytetar.