Në 25 vjetorin e krijimit të Muzeut Ikonografik Kombëtar “Onufri”, dje rreth orës 11:00, në ambjentet e brendshme të këtij muzeu, është organizuar një sesion shkencor për historikun dhe vlerat e këtij muzeu.
Muzeu Kombëtar Onufri, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, është shndërruar në një nga qendrat e rëndësishme historike e kulturore jo vetëm të qytetit të Beratit, por të gjithë Shqipërisë, pasi aty janë vendosur ikonostasi me veprat e piktorit të famshëm Onufri.
Ky muze, në të cilin janë përzgjedhur për tu ekspozuar 175 vepra të ralla të piktorit, vizitohet prej vitesh nga turisët vendas e të huaj. Genc Pollo, ministri i Teknoligjisë dhe Inovacionit, i pranishëm në këtë aktivitete duke folur për vlerat e rralla historike e arkitekturore të këtij muzeu, ka premtuar se në këtë muze do të sillen shumë shpejt për tu ekspozuar “Kodikët” dhe se një kopje e tyre do të qëndroj në muze. Gjithashtu, Pollo tha dhe se shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi i rrugës Berat-Lushnje, e cila vazhdon të jetë prej vitesh e shkatërruar.
Stastistikat tregojnë se Qendra Historike e qytetit të Beratit dhe Muzeu Onufri kanë rritur nga viti në vit interesin e turistëve për t’i vizituar. Vetëm këtë vit ky muze është vizituar nga 8 mijë turistë më tepër se një vit më parë, prej të cilëve 80% kanë qënë vizitorë të huaj.