Ditën e hënë dhe të Martë në qytetin e Beratit janë zhvilluar aktivitetet e dy projekteve të rëndësishme. I pari që ka filluar në datën 8 Maj, është projekti Sustcult në të cilin Berati bën pjesë së bashku më 6 site të tjera: Venecia, Korfuzi, Ohri, Nova Goricia, Bakau dhe Hurezi. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe pikësëpari synon krijimin e një metodologjie të përbashkët mbi bazën e të cilës sitet në projekt të mund të ndërtojnë plane menaxhimi në përputhje me nevojat dhe kërkesat e siteve përkatëse. Përveç metodologjisë, projekti synon krijimin e një sistemi GIS ku do të hidhen monumentet e qendrës historike, metodologjia e planeve të menaxhimit si dhe indikatorët për ruajtjen e qendrës historike. Projekti ka parashikuar trajnim online të stafeve lokale si dhe krijimin e faqeve respektive të internetit.
Katia Basili, arkitekte në Bashkinë e Venecias, pjesë e këtij projekti, u shpreh se Venecia është pjesë e UNESCO-s, që nga viti 1987, por pak kohë më parë i’u kërkua nga UNESCO, krijimi i një plani menaxhimi për të ruajtur vlerat e për të qëndruar ende në këtë listë. “Ky projekt është një aktivitet mjaft kompleks që kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe enteve përgjegjëse dhe kjo ka qenë arsyeja pse po implementohet ky projekt evropian, për të ndarë eksperiencën tonë me Site të tjera që kanë të njëjtat vështirësi dhe të njëjtat resurse”-është shprehur arkitektja veneriane Basili. 7 Sitet e përfshira në Projektin Evropian për trashëgiminë kulturore janë: Venecia, Korfuzi, Ohri, Nova Goricia, Bakau, Hurezi dhe Berati.
Aktiviteti i dytë ishte finalizimi i projektit të Zyrës së Unesco-s në Venecia në lidhje me trajnimin e stafeve lokale ndaj rrezikut të katastrofave në trashëgimi. Trajnimi u ndërmor nga Zyra e UNESCO-s dhe ICCROM si dhe i financuar nga Kombet e Bashkuara.