#USembassy #BashkiaBerat #bashkëpunim #Mbështetje #promovim
#USAID
Kryetari i Bashkisë z. Petrit Sinaj, pas ceremonisë për pastrimin e mbetjeve të municioneve në Gjoroven, zhvilloi një takim në bashki me zv/ambasadorin amerikan në Shqipëri z. Muniz, ku diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të Bashkisë së Re të Beratit, pas ndarjes territoriale.
Shërbimet publike, mbetjet urbane, ujërat e zeza dhe kanalizimet në njësitë e reja administrative përbëjnë sfidat e aktuale të Bashkisë Berat, e cila po punon intensivisht për t’i përmirësuar sipas standardeve të kërkuara për një Sit të UNESCO-s siç është Berati.
Kryetari i Bashkisë z. Petrit Sinaj vlerësoi gjithashtu prezencën e ShBA-ve në Berat me projektet e zbatuara nga USAID, programi PLGP në fushën e taksave dhe financave vendore, përgatitjen e planit të përgjithshëm urban dhe mbështetjen për sistemin përfundimtar të Zyrës më Një Ndalesë për qytetarët beratas.
Gjithashtu vlerësoi edhe investimet e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në shëtitoren “Republika”, duke sjellë impulse zhvillimi për biznesin dhe turizmin e zonës. Vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes në Berat kanë qenë gjithashtu një mbështetje për projektet në fushën e turizmit, rinisë dhe trashëgimisë kulturore.
Zv/Ambasadori i ShBA-ve në Shqipëri, z. Muniz, në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe të sukesshëm me Bashkinë Berat dhe shprehu mbështetjen e mëtejshme të programit të qeverisë së SHBA nëpërmjet USAID në programin për turizmin, projektit për përmirësimin e menaxhimit të qeverisjes vendore në fushën e financave PLGP, mbështetjen për rritjen e prezencës së qytetarëve beratas në vendimarrje, si dhe projekte të ndryshme në fushën e taksave dhe financave vendore.