Kalaja – Eshte monumenti më antik në qytetin e Beratit. Këtu shtrihej dikur qyteti i vjetër. Kalaja është pasuri kulturore kombëtare dhe së fundi pas përfshirjes në Unesco është edhe pasuri universale.
Kisha e Shën Mëri Vllahernës – (shek.13 ) – Është kisha më e vjetër ekzistuese në Berat . Kjo Kishë është restauruar në shek. 16 dhe afresket e saj janë pikturuar nga artisti Nikolla, djali i Onufrit.
Kisha e Shën Triadhës – (Shek.13-14 ) Është ndërtuar pranë mureve te dyta rrethuese të Kalasë. Dallohet për afreske të bukura bizantine dhe muret e saj janë ndërtuar duke përdorur teknikën e klausonazhit.
Kisha e Shën Kollit – ( Shek. 16) – Gërmimet arkeologjike kanë treguar se muret e kësaj Kishe janë ndërtuar në shekullin e XVI. Brenda në kishë gjendet një altar i përdorur për ritualet fetare i cili përbën një element të arkitekturës paleo -kristiane.
Lagjja Mangalem – ka filluar të ndërtohet që në shekujt XI -XII. Shumica e shtëpive që ndodhen tani janë kryesisht të shekujve XVIII-XIX. Ai ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Ky kompozim, kaq i madh në volum aq sa delikat në kompozimin e saj, karakterizohet nga një transparencë intesive për shkak të numrit të madh të dritareve, nga e cila merr emrin «qyteti i një mijë e një dritareve». Vizitorit i tërheqin vëmendjen rrugicat, të cilat edhe pse janë të «fshehura» kanë një bukuri të jashtëzakonshme.
Lagjja Goricë – Lagja Goricë, ashtu si dhe Lagja Mangalem, fillimet e ndërtimit të saj mendohet ti ketë në shekullin e XI-XII. Gorica përbëhet nga shumë banesa popullore të cilat janë monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë si dhe nga dy kisha të vjetra: Kisha e Shën Spiridhonit dhe Kisha e Shën Thomait.
Teqja e Helvetive – Ndodhet në Qendrën Mesjetare dhe është një nga monumentet më të bukura të kultit Bektashi në Shqipëri. Punimi në gur, tavani i dekoruar si dhe pikturat murale janë disa nga vlerat më të rëndësishme që mbart kjo Teqje.