Qyteti-muze i Beratit po tërheq përherë e më shumë turistët vendas dhe të huaj. Sipas statistikave në bashkinë e këtij qyteti, në harkun e gjashtë muajve të parë të vitit 2011, këtë qytet e kanë vizituar 5 mijë turistë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas Eva Dhimës, specialiste për marrëdhëniet me jashtë dhe turizmin në bashkinë Berat, “ky numër pasqyrohet në mbi numrin e biletave të prera dhe shumave të arkëtuara në arkën e institucionit”. Nga i njëjti burim saktësohet se 90 për qind e vizitorëve janë turistë të huaj dhe shqiptarë nga diaspora, ndërsa të tjerët nga rrethi i Beratit e qytete të tjera të vendit. Ndër objektet më të pëlqyera nga vizitorët janë kalaja shekullore, lagjet muzeale Goricë e Mangalem, Qendra Mesjetare e qytetit dhe objektet monument kulture që ndodhen në qytetin e lashtë. “Përfshirja e Beratit në UNESCO, gjë që ka rritur edhe promocionin e këtij qyteti, përcaktimi i Shqipërisë si destinacion i vitit 2011, rritja e promocioneve në Website të ndryshme në internet dhe informacionet orientuese të bashkisë, shpresohet që në të ardhmen të ndikoj në rritjen e ndjeshme të fluksit turistik” – shton specialistja Dhima.