Bashkia Berat dhe Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë, prezantuan sot në sallën e konferencave të Bashkisë “Planin Vendor të Mbrojtjes së Fëmijëve 2018-2021”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Prefekti i Qarkut Berat, z. Harilla Dafa, Nënkryetari i Bashkisë, z. Çlirim Brisku, znj. Anila Bregu, përfaqësuese e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, znj. Mirela Jonuzaj, përfaqësuese e “Save the Children” dhe punonjës të shërbimit social Berat. Fjala përshëndetëse dhe prezantimi i Planit Vendor për Mbrojtjen e Fëmijëve u bë nga znj. Elona Kulluri, përfaqësuese e Shoqatës Kombëtare të Punonjësve Socialë.
Plani Vendor për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bashkinë e Beratit është një dokument politik që synon koordinimin e veprimtarive të institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve në territorin e Bashkisë së Beratit, për një adresim efektiv të nevojave të fëmijëve dhe është hartuar në të njëjtën linjë me legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve. Ky plan u realizua në kuadër të projektit “Hartimi i Planeve Vendore të Veprimit për fëmijët në situatë rruge në Bashkinë Berat dhe Sarandë”, i zbatuar nga Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë, si pjesë e granteve të projektit “Përfshirja e Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga “Save the Children” në parneritet me “Terre des homes”.