Qyteti i Beratit ndodhet në Shqipërinë Jug-Qëndrore , 120 km në jug të Tiranës. Ai ka një popullsi prej rreth 64.000 banorë. Qendra Historike e qytetit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s në 8 Korrik 2008 si ‘’ një shembull i rrallë i një karakteri arkitektural tipik i periudhës Otomane ‘’ .Berati është shpallur Qytet Muze në vitin 1961 nga Qeveria Shqiptare.
Qyteti është ndër më të vjetrit në Shqipëri , fillimet e të cilit i gjejmë në një vendbanim në formë fortese -Kalaja ,e cila ka ekzistuar që prej shekullit IV para Krishtit me një jetë të pandërprerë deri në ditët e sotme. Ai ka qenë vendbanim i fisit Ilir të Desaretëve ,të cilët ishin të parët që ndërtuan fortifikimet në qytet . I njohur si Antipatrea qyteti u pushtua prej romakëve në shekullin e II para Krishtit .Tit Livius –një historian Romak i famshëm e përshkruan atë si ‘’…një qytet i madh dhe i fortë ,i vendosur në një rrip toke të ngushtë e shkëmbor ‘’.Livius tregon për mizorinë e legjioneve Romake të cilat ‘’ … vranë të gjithë njerëzit mbi 16 vjeç ,shkatërruan muret e qytetit dhe i vunë zjarrin atij’’. Romakët e quajtën qytetin Albanorum Oppidum ( Kështjella Shqiptare ).
Gjatë periudhës Bizantine në shekullin e V qyteti njihet si Pulcheriopolis , nga Pulheria -emri i motrës së Perandorit Bizantin Teodos i cili pushtoi qytetin. Emri Pulcheriopolis do të thoshte ‘’qytet i bukur, i pasur ,i fuqishem’’ dhe jo rastësisht iu vu qytetit ; ai po bëhej një qendër kyçe me rritje të madhe kulturore.
Në shekullin e VII filluan invazionet Bullgare ,të cilat zgjatën deri në vitin 1018 duke e quajtur Beratin si Belgrad – Qyteti i Bardhe .
Me rënien e Perandorisë Bizantine ,Berati u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme për autoritetet fetare të Epirit. Ai ishte rezidenca e Mikele Angelo Komneno despoti i qendrës klerike të Epirit .Në hyrjen e Kalasë në portën e saj jugore ,gjendet një monogram me gurë ; një kryq me katër shkronja ku është shkruar : M.H.L.K. ky është emri i despotit: M (i) .H (a) .L.K. (omneni) .
Në shekullin e XIV ,qyteti u transformua në kryeqendrën e një principate të madhe nën sundimin e familjes fisnike të Muzakajve .
Në vitin 1417 Berati u vu nën pushtimin Turk. Gjatë pushtimeve otomane,ai mbeti një prej qyteteve më të mëdhenj të Shqipërisë. Deri në fillimin e shekullit XX qyteti kishte një infrastrukturë solide, dhe ishte nyje lidhëse drejt Lindjes dhe Kostandinopojës por gjithashtu edhe në drejtim të Jugut për në Janinë –Greqi.
Qyteti është i njohur për trashëgimine e tij kulturore,arkitekturën historike dhe bukurinë natyrore dhe njihet si ‘’qyteti i një mbi një dritareve ‘’ për shkak të numrit të madh të dritareve të shtëpive të vjetra që shikojnë mbi qytet.
Është një qytet i mrekullueshëm skenik me ndërtesa të bukura shumë interesante nga pikëpamja arkitektonike dhe historike. Qyteti ka një reliev malor dhe kodrinor me majat më të larta Malin e Tomorrit ( 2.416 m ) dhe Malin e Shpiragut ( 1.218 m) të cilët të kombinuar me luginën e Osumit krijojnë një peisazh të bukur në qytet .
Berati mbart dëshminë e bashkëjetesës së feve të ndryshme dhe komuniteteve të shumta kulturore përgjatë shekujve. Pjesa e vjetër historike përbëhet nga tre lagje të ndara nga lumi Osum : Kalaja ,Gorica dhe Mangalemi. Qyteti ka gjithashtu Qendrën Mesjetare e cila përbëhet nga monumente të vjetra fetare të sektit Bektashi dhe një xhami të shek.XV.
Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit . Ajo ka ruajtur të pandryshuar planin e saj original të shekullit IV para Krishtit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë shekujve VI, VIII, XV dhe XIX .
Ajo nuk është vetëm një nga Kështjellat më të mëdha të banuara ,por një arkiv në gurë ,e cila ofron një varietet stilesh dhe kontribute të epokave të ndryshme : Romako-Bizantine, Shqiptare dhe Otomane.
Ndërtesat brenda Kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për shkak të arkitekturës së tyre karakteristike janë ruajtur si monumente kulture. Kalaja ka shumë kisha Bizantine si dhe disa xhami të ndërtuara gjatë epokës Otomane e cila filloi në vitin 1417 .
Kalaja e Goricës ka qënë një tjetër kala në qytet e cila i përket së njëjtës periudhe ( IV para Krishtit ) , e pozicionuar në kodrën përballë. Sot ekzistojnë vetëm rrënojat e kësaj kalaje.
Lagjet e vjetra të Mangalemit dhe Goricës pergjatë lumit , të lidhura me njera-tjetrën me Urën e Goricës ,janë zona të ruajtura mirë me ndërtesa me arkitekturë karakteristike me një numër të madh dritaresh , rrugica plot sharm dhe objekte religjioze.
Kodikët e Beratit
Kodiku i Purpurt i Beratit “ (i quajtur Beratinus) , përmban ekstrakte nga Ungjijtë dhe është një ndër variantet më të vjetër të përdorur për teksin e Testamentit të Ri. Në kohën që u shkruajt në shekullin e VI-të, ai ishte një ndër pesë kodikët ekzistues në gjithë botën. Kodiku i Arte përfaqëson kodikun e dytë më të rëndësishëm të Beratit, është një dorëshkrim i shekullit te XIX-të. UNESCO ka treguar një interes të madh për ruajtjen e kësaj trashëgimie unike të literaturës së vjetër liturgjike të historisë botërore. Kodikët e Beratit janë të përfshirë në Rregjistrin e Listës së Trashëgimisë Botërore.
Vende interesante për t’u eksploruar në Rajon :
Parku Natyror i Malit të Tomorrit – është zona më e madhe natyrore e mbrojtur dhe një vend për aktivitete rekreative. Vizitorët në ambientet e këtij parku natyror do të gjejnë një larmi të dhuratave të natyrës të gatshme për eksplorim dhe aktivitete të ndryshme shplodhëse dhe argëtimi.
Ujëvara e Bogoves : Ujëvara e Bogoves ndodhet në fshatin e Bogovës në një ngjitje të lehtë që kalon përgjatë bregut të lumit dhe zgjat për rreth 45 minuta .Ujëvara e Bogovës është burimi kryesor i furnizimit me ujë të pijshëm i Rajonit . E fshehur nën hijen e freskët të pyllit në këmbët e Malit të Tomorrit ,ujëvara ofron një strehë nga të nxehtët e verës në Rajon. Fshati i Bogovës është rreth 1 orë udhëtim me makinë nga Berati.
Kanionet e Çorovodës :
Kanionet e Çorovodës janë një provë e rëndësishme e historisë gjeologjike në zonë. Çorovoda është rreth 1 orë e gjysëm udhëtim me makinë nga Berati dhe kanionet të cilat janë kryesisht shtigje dhe vende për aktivitete sportive dhe rekreative ndodhen disa çaste tej qytetit te Çorovodës.