Me rastin e festës së Krishtlindjes, Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Teuta Muçogllava, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, z. Gëzim Zema, bashkë me një pjesë të stafit të Bashkisë, kryen sot vizita në Mitropolinë e Shenjtë të Beratit dhe në shkollën “Ylli i mëngjesit”, për të përcjellë urimet e rastit.
Në Mitrolpolinë e Shenjtë, znj. Nikoleta Manka, uroi Krishtlindjen dhe theksoi se ditë të tilla duhet të përçojnë mes nesh mesazhe paqeje e lumturie, dashurie e shprese, për një vit dhe një të ardhme më të mirë. Hirësia e Tij, At Kristaqi, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, duke uruar Krishtlindje të bardha për të gjithë shqiptarët. Midis të tjerave ai vlerësoi mjaft vendimin e Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin, Anastas Janullatos.
Ndërsa, në vizitën e tyre te shkolla “Ylli i mëngjesit” përfaqësuesit e Bashkisë u pritën nga sinjori, Xhuzepe Tosi, dhe suore, Maria Bortone, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre për këtë vizitë dhe uruan Lindjen e Krishtit, si një festë paqeje, harmonie e dashurie midis njerëzve. Ata shprehën mirënjohjen edhe për mbështetjen që Bashkia e Beratit iu ka dhënë për realizimin e projekteve të tyre. Bashkë me përfaqësuesit e Bashkisë shprehën urimet e tyre për këtë ditë të shenjtë edhe përfaqësues të klerit mysliman.