PËRFAQËSUES TË BASHKISË BERAT, VIZITË NË PRIZREN
28/04/2018
Aktivitete, Të Reja
598 Views
Me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, Kryetari i Bashkisë Berat, z.Petrit Sinaj, dhe përfaqësues të Bashkisë Berat, midis të cilëve edhe disa prej bizneseve të qytetit, ishin sot për një vizitë zyrtare në Komunën e Prizrenit. Gjatë ceremonisë së ditës së sotme u nënshkrua marrëveshja e Vullnetit të Mirë ndërmjet qyteteve, të cilat i bashkon kultura dhe trashëgimia historike. Në marrëveshje parashikohet bashkëpunimi në disa fusha, si: shkëmbime kulturore, projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, arsimit, projekte sociale dhe shkëmbime ndërmjet bizneseve. Marrëveshja e binjakëzimit do të kalojë në Këshillin Komunal të Prizrenit në muajin qershor 2018, vit i cili përkon me 140 – vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përfaqësuesit e delegacionit të Bashkisë Berat, pasi vizituan panairin e zejtarisë dhe të produkteve tipike të qytetit, morën pjesë në një aktivitet kulturor të organizuar nga komuniteti boshnjak i Prizrenit. Gjatë vizitës së tyre përfaqësuesit e Bashkisë Berat patën një takim edhe me Shoqatën e Bizneseve “Esnaf”, kryetari i së cilës, z. Varis Xhejlani, në shenjë respekti e nderoi z. Petrit Sinaj me një certifikatë mirënjohjeje. Ndërsa Krybashkiaku Sinaj i ftoi bizneset e Prizrenit dhe më gjerë që të vijnë në Berat për të parë mundësinë e lidhjeve me biznesin vendës.