Home / Aktivitete / MILIKA JAHO, “QYTETAR NDERI” E BERATIT

MILIKA JAHO, “QYTETAR NDERI” E BERATIT

Në sallën e konferencave të Bashkisë Berat u zhvillua sot ceremonia e dhënies së titullit “QYTETAR NDERI” znj. Milika Jaho. Ajo ka drejtuar Bashkinë e qytetit të Beratit në një nga periudhat më të vështira (1996-2000), duke reflektuar maturi, përgjegjësi, përkushtim, paanësi dhe drejtësi në zgjidhjen e problematikave të kohës.

Ishin të pranishëm në këtë ceremoni përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore, përfaqësues të komuniteteve fetare, të forcave politike, miq e dashamirës të familjes Jaho, mësues, nxënës, punonjës të administratës, qytetarë etj.
Këshilli Bashkiak Berat me vendim nr. 18, datë 10.02.2018, ka miratuar në mënyrë unanime vendimin për t’i dhënë zonjës Milika Jaho titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Një ndër qytetaret shembullore të Beratit, që gëzon respektin dhe mbështetjen e të gjithëve, simbol i dijes, mësueses së pasionuar, që ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e arsimit, mishërim i virtyteve të shkëlqyera, si nënë, bashkëshorte, mësuese dhe si një nga figurat publike, që ndërtoi ura tolerance, bashkëjetese, bashkëpunimi, pa dallim bindjesh partiake.”
Drejtuesi i kësaj ceremonie, z. Kadri Kuka, prezantoi një historik të shkurtër të biografisë së znj. Milika Jaho, duke nxjerrë në pah disa nga cilësitë më të mira që e karakterizojnë atë.
Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, i cili i dorëzoi titullin e nderit znj. Milika Jasho, e vlerësoi atë si modelin e qytetares, e cila i dha jetë e shpirt këtij qyteti, pikërisht atëherë kur atij i duheshin më shumë se kurdo, duke u treguar bashkëkohësve të saj, por edhe pasardhësve, se bashkëpunimi, toleranca, ndjeshmëria qytetare, mirëkuptimi, dashuria dhe respekti janë disa nga cilësitë te të cilat duhet të mbështet çdo shoqëri që kërkon të zhvillohet me ritmet që kërkon koha.
Ndërsa vetë znj. Milika, përmes emocioneve, në fjalën e saj tha: “Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj jush, ndaj bashkëqytetarëve, kolegëve, miqve, shokëve, ndaj ish-nxënësve të mi në breza, të cilët gjatë jetës sime, në kohë të ndryshme, në forma të ndryshme më kanë falur dashuri e respekt. Sot unë përulem para tyre. Ne këto moment njeriu e ndjen veten të vogël, shumë të vogël përballë madhështisë së qytetit të vet. Duke ju falenderuar përzemërsisht, ju uroj suksese në drejtimin e Bashkisë, ju uroj të gjeni shpeshherë gjuhën e konsensusit në vendimmarrje në të mirë të qytetarëve.”
Përshëndeti ish – kryetari i Bashkisë së Kuçovës i së njëjtës periudhë ( 1996-2000), z. Artur Kurti, i cili tha se e ndjente veten të nderuar që merrte pjesë në këtë ceremoni. “Ndonjëherë një çmim apo një titull i dhënë i bën nder dikujt, ndërsa në rastin e Milika Jahos është ajo që po i bën nder këtij çmimi. E kam pasur kolege, shoqe, motër, pse jo edhe si nënë. Për mua është personifikim i qytetarisë beratase. Në atë kohë të vështirë ajo mori konsensusin e të gjithëve, duke përfaqësuar me dinjitet çdo qytetar. Ajo meriton shumë më shumë, por modestia e saj, dashuria, intelekti, dhembshuria, toleranca, qëndronin mbi unin e saj, duke e bërë atë shembull të virtyteve dhe të modelit më të mirë që duhet të ndjekë qytetaria beratase”, u shpreh në fjalën e tij zoti Kurti.
Përshëndeti gjithashtu, znj. Miranda Haxhia, ish – nxënëse e znj. Jaho, e cila përmes emocioneve tregoi se ndihej krenare që znj. Milika kishte qenë pjesë e edukimit të saj, duke kujtuar ndërkaq disa nga cilësitë më të mira të mësueses së saj.
Përshëndeti këtë ceremoni edhe z. Ali Qeseja, si bashkëkohës dhe bashkëkoleg i saj, i cili tha se ka individ si Milika, të cilët, në varësi të marrëdhënieve që krijojnë me qytetarët, e kanë marrë me kohë titullin “Qytetar nderi”, ndërsa thjesht sot ai vetëm sa formalizohet. Megjithatë, duhen falenderuar ata që propozuan dhe e kthyen në realitet këtë propozim, për të nderuar znj. Milika Jaho si një nga personalitetet që i bën nder shoqërisë beratase.
Në fund të ceremonisë, një grup nxënësish të shkollës së Mangalemit, bashkë me mësuesit e tyre, i dhuruan lule dhe bën foto me znj. Milika Jaho, duke krijuar një atmosferë mjaft emocionuese.