Home / Njoftime / MBLEDHJE E SHTABIT TË EMERGJENCAVE TË BASHKISË SË BERATIT

MBLEDHJE E SHTABIT TË EMERGJENCAVE TË BASHKISË SË BERATIT

Për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e shumta, u mblodh sot pasdite Shtabi i Emergjencave të Bashkisë së Beratit, i kryesuar nga Kryebashkiaku, z. Petrit Sinaj. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm përfaqësues të të gjitha drejtorive në varësi të Bashkisë, administratorët e Njësive Administrative dhe përgjegjës të grupit të emergjencave, të cilët raportuan për situatën në zonat përkatëse. I pranishëm në këtë takim ishte gjithashtu edhe prefekti i Qarkut Berat, z. Harilla Dafa. Në këtë mbledhje u analizua gjendja e krijuar dhe u përcaktuan detyrat për përballimin e çdo situate. Nga zonat më kritike të deritanishme, fshati Moravë dhe pjesa më periferike e lagjes “30-Vjetori”, janë evakuar 40 persona, të cilët janë sistemuar në konviktet e administruara nga Bashkia. Për të parë kushtet e sistemimit të të evakuarëve, ishin sot në mbrëmje në mjediset e akomodimit të tyre Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dhe Prefekti, z. Harilla Dafa. Brenda qytetit të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe nuk ka probleme të qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve. Situata po monitorohet çdo 24 orë nga grupi i emergjencave i ngritur pranë Bashkisë, për t’i paraprirë çdo rreziku të krijuar nga kushtet e vështira atmosferike.