Home / Trashëgimia / Ikonografia

Ikonografia

iKONOGRAFIAQyteti i Beratit i favorizuar nga pozicioni i gjeografik dhe begatia e zonës përreth zhvilloi një jetë të pandërprerë qytetare, që nga themelimi (shek IV-III) deri në ditët tona. Shkëlqimet e periudhave historike reniet në errësirat e gjata nuk mund të zbehin rëndësinë e tij në periudha të ndryshme dhe ndikimi që pati në jetën politike, ekonomike dhe kulturore.

Qëndër peshkopale nën vartësi të kryepeshkopatave të Durrësit dhe Ohrit, në shek e XVII fiton mëvetësinë duke mbajtur lidhjet direkt me Patrikanën e Stambollit, “Mitropolia e Shenjtë” e Beratit u bë një qendër e rëndësishme e prodhimtarisë dhe e ruajtjes së vlerave të rëndësishme të pikturës bizantine dhe pasbizantine të cilat të mbritura deri në ditët tona përbëjnë thesare të rëndësishmë të kulturës kombëtare.
Nga periudha bizantine (shek. VI) trashëgohen disa elemente arkitektonikë të ripërdorur në kishat e mëvonshme (shek XVI),por kodikët e famshme të ruajtur në bibliotekën e Mitropolisë, Codex Purpureus Beratinus (kodiku i purpurt i shek. VI) dhe Codex Arueus Anthimi (kodiku i artë i shek IX), Epitafi i Gllavenicës (shek. XIII) dhe pikturat e periudhës paleologe të kishës së shën Triadhës (shek XIV) dëshmojnë për rëndësinë e qytetit dhe kualitetet kulturore dhe artistike që ai grumbulloi. Këto vlera, minaturat e kodikëve pikturat anonime të kishave të shek XIV ikonat e realizuara këtu apo të sjella nga qendra të tjera patën një ndikim tek piktorët pasbizantin të shek XVI të cilët paraqesin tipare relativisht të dallueshme dhe zhvillim unik duke realizuar vepra të rëndësishme e vlera artistike të dorës së parë.

Qyteti i Beratit në hartën e perandorisë rënditej në periferi, në kufirin ku presioni i qëndrës ishte i zbehtë dhe ndikimi i kishës perëndimore në rivalitet me kulturën dhe artin e qëndrave periferike. Largësia nga metropoli favorizonte një liri nga presioni i pushtetit qëndror dhe kontakte të atelieve dhe artistëve të provincës të cilët nëpërmjet fuqisë së talenti përpunuan dhe zhvilluan elemente të rëndësishëm. Krijimet e tyre megjithse tradicionalisht ndjekin programet ikonografike bizantine në to shikohen përzjerje të modeleve paleologe, ndikimesh kretase, elementësh ikonografike maqedonase, elementesh etnografike vendas edhe influencash me prejardhje perëndimore.
Përveç një numëri artistësh anonimë nga shek. XIV janë identifikuar emrat e mjeshtërve më të rëndësishëm të Historisë se Artit Shqiptar. Onufri është përfaqsuesi më i rëndësishëm i pikturës pasbizantine në trojet shqiptare dhe më gjërë. Ai në krijimtarine e trashëguar paraqitet një mjeshtër i rëndësishëm me profesionalisht i përsosur që mbante dhe funksione kishtare (protopapa Neokastron). Gjeografia e krijimtarisë së tij përfshin një teritor të gjerë Ballkani; Shqipërinë qendrore, Greqinë veri perëndimore, Maqedoninë perëndimore e Rumaninë. Ai pikturon afresket e kishave të “Apostujve” (1547) dhe Anargjirëve (mbas vitit 1547) në Kostur, të kishave të shën Nikollës (para vitit 1553) në Shelcan, të shën Epremtes (1553 – 54) në Valësh. Atij i atribohen pikturat në kishat e Shpërfytyrimit (1535) dhe shën Nikollës (1535) në Zercë e Prilep dhe kisha në manastirin e Moldavicës (1537) në Moldavi.

Në Berat ai ka një pjesë të rëndësishëm të krijimtarisë të përfaqësuar nga disa fragmente afresku të realizuar në kishën ë shën Todrit (1547) dhe ikonat e ikonostasit të kishës së “Vangjelizmoit” në kala në kishën e shën Todrit dhe katedralen “Fjetja e shën Marisë”. Arti i Onufrit shquhet për një ruajtje të traditës bizantine dhe kundërvenie ndaj çdo heretizmi, për teknikën e lartë të ekzekutimit, elegancën e vizatimit dhe raportet koloristike mjaft tërheqëse, etj.
Edhe pse diskutimet për prejardhjen e tij vazhdojnë ne do të referohemi argumentit se mjeshtri tjetër,Nikollau formua si artist i rëndësishëm në atelienë e të jatit, Onufrit. Si i tillë ai trashëgoi të njëjtin stil dhe të njëjtët modele të Onufrit. Përveçse në Kurjan dhe në Arbanas, Bullgari ku ai pikturoi së bashku me një mjeshtër tjetër të quajtur Joan, krijimtaria e tij zhvillohet në Berat ku pikturon Kishën e shën Mari Vllahernës, pikturën murale dhe ikonostasin si dhe ikona të tjera.
Onufri Qiprioti është mjeshtri i tretë i madh që lidhet me artin e të pikturuarit në kishat e Beratit. Ai realizon pikturën murale dhe ikonat e kishës së shën Kollit (1591),ikonostasin e kishës së shën Kostandinit dhe Helenës dhe shumë ikona në të cilat ai shënon emrin e vetë. Gjithashtu përveçse është zbuluar se edhe “Dyert Mbretërore” të ikonostasit të kishës së shën Mari Vllahernës të pikturuar nga Nikolla janë të tijat.

Në teritorin e Mitropolisë së Shenjte të Beratit kanë ushtruar veprimtarinë e tyre dhe shumë mjeshtër të tjerë në periudhën ndërmjet shek XVI-XIX. Ndërmjet tyre Kostandin dhe Athanas Zografi shek XVIII të cilët realizojnë pikturën murale të kishës shën Kollit në Ardenicë dhe shumë ikona. Kjo pikturë ndikoi së tepërmi në mjeshtrat e ateliesë e familjes Çetiri, të cilët në këtë periudhë punojnë në atelienë e tyre. Në kishën e shën Kollit, Ardenicë një mjeshtë tjetër i shek XVIII realizon ikonat e ikonostasit. Kostandin Shpataraku i cili shfaqet si një miniaturist i shkëlqyer.

E rëndësishë në periudhën midis shek XVII-XIX është veprimtaria e ateliesë së mjeshtërve të familjes Çetiri. Ata realizojnë pikturimin e shumë kishave dhe ikonostaseve në Berat dhe Myzeqe. Këta mjeshtra pikturuan në të njëjtën atelie,së bashku duke e trashëguar mjeshtërinë në breza të tjerë. Piktorët e kesaj familje kanë qënë Gjergji dhe Joani, Naumi dhe NikollA. Piktorët e fundit e kësaj familje janë Gjergji dhe Prendi me të cilët çfaqen tendecat degraduese në artin e të pikturuarit. Mbas tyre veprimtaria ikonografike degjeneron në veprimtari artizanale të piktorëve anonim.