Ka përfunduar përgatitja e hartës së re turistike të qytetit të Beratit, financuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara ‘’Kultura dhe Trashëgimia për zhvillimin social dhe ekonomik’’ me fonde të Qeverisë Spanjolle. Harta është modeluar në formën e një fletëpalosje informative dhe shërben edhe si një guidë orientuese për vizitorët në qytet. Prodhimi i hartave të tilla në Shqiperi,ka filluar me hartën e Antigonesë dhe vazhdon me dy hartat e Beratit dhe Gjirokastrës si site të UNESCO-s. Përgatitja e hartës është kryer falë bashkëpunimit ndërmjet PNUD dhe Bashkisë Berat, duke bërë të mundur përdorimin e të gjitha detajeve të rrugicave dhe rrugëve në lagjet muzeale ne sistemin e ri të adresave, si dhe hedhjen e të dhënave per pikat me interes në qytet.
Çfarë e bën akoma të veçantë është përdorimi praktik i saj, e cila nuk është konceptuar si një hartë e madhe praktikisht e vështirë në përdorim,por përthyerja e fletëve bën të mundur që vizitorët ta lexojne atë dhe duke ecur. Gjithashtu formati i pështatshëm është konceptuar si një fletëpalosje xhepi.
Çfare përmban harta ?
Lagjet Muzeale janë të ndara në tre pjesë dhe për çdo pjesë janë përcaktuar pikat me interes, shoqëruar me numrat korrespondues dhe fotot përkatëse. Për herë të parë tregohet në një hartë publike zona e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore dhe kufijtë e saj. Legjenda është lehtësisht e lexueshme dhe përmban oraret e Muzeumeve ,Galerisë së Arteve, Monumenteve të vizitueshme dhe pagesat përkatese. Gjithashtu edhe informacion praktik mbi vendet ku turistët mund të gjejnë guidat përkatëse. Ka një informacion mbi mënyren sesi mund të arrihet në Berat nga aeroporti dhe portet e vendit, vendndodhjen e hoteleve, restoranteve, vendet e parkimit, stacionit të autobuzave dhe të taksive, pikat e internetit, telefonisë, si dhe informacion mbi Zyrën e Informacionit Turistik.
Një pjesë të konsiderueshme të saj e përmban përshkrimi i qytetit, elementë të historisë së tij, përshkrimi i tre lagjeve muzeale, artit ikonografik dhe kodikët e Beratit. Informacioni është përgatitur në gjuhën angleze.
Harta e re do t’u shpërndahet vizitorëve gjatë muajve në vazhdim në Zyren e Informacionit Turistik.
Një ndihmesë të veçantë për hartën kanë në veçanti Z. Stephan Doempke – ekspert i turizmit fillimisht ne zyrën e PNUD dhe më pas pranë Organizates për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës i cili ka punuar me profesionalizëm për çdo element të hartës, Z. Edmond Lekaj – hartograf , i cili përpunoi hartat , Z. Alket Islami –fotograf i cili bëri të mundur foton ajrore të kopertinës si dhe specialistët e Zyrës së Informacionit Turistik pranë Bashkise Berat .
Përgatiti : Etleva Dhima