Home / Aktivitete / DEKOROHEN NGA PRESIDENTI META SPORTISTËT E SPIKATUR NDËR VITE

DEKOROHEN NGA PRESIDENTI META SPORTISTËT E SPIKATUR NDËR VITE

Në sallën e konferencave të Bashkisë Berat u zhvillua sot ceremonia e ndarjes së dekoratave për figurat më të spikatura të sportit beratas ndër vite. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, përfaqësues të pushtetit vendor, të komuniteteve fetare, sportistë, qytetarë etj. Me propozim të Kryetarit të Bashkisë, z. Petrit Sinaj, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, dekoron ish-sulmuesin e Tomorit, Përparim Kovaçi, ish – volejbollisten e Tomorit, Ollga Gjogu, kampionin e pingpongut, Ilir Shabanaj, dhe ish – peshëngritësin e Tomorit, Vasil Hoço.
Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen e tij për sportistët e spikatur beratas ndër vite, të cilët kanë lënë gjurmë në disiplina të veçanta sportive, duke u bërë shembull dhe modeli më i mirë për t’u ndjekur nga të rinjtë. 
Ndërsa Presidenti I Republikës, z. Ilir Meta, në përshëndetjen e tij u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në disa aktivitete mjaft domethënëse që zhvillohen sot në Berat, siç ishin Gjysmëmaratona e Beratit dhe Olimpiada XXIII Mbarëshqiptare e Matematikës. Ndërsa në këtë rast, është kënaqësi të takohem me një komunitet mjaft të rëndësishëm dhe të spikatur të Beratit, siç është ai i sportit. Besoj se me më shumë vëmendje ndaj sportit, Berati i ka të gjitha mundësitë për të luajtur një rol të rëndësishëm në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi nuk i kanë munguar asnjëherë talentet. Ndaj sot, e shfrytëzojmë këtë mundësi për të nderuar disa nga modelet më të mira, më të spikatura të sportit beratas ndër vite. Njëri prej tyre, Përparim Kovaçi, është një nga modelet më të shkëlqyera, më të suksesshëm, që ka kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin beratas, golashënuesi më i mirë në kampionatet shqiptare, duke qenë një shembull frymëzimi për të rinjtë që e kanë pasion futbollin. Është kënaqësi gjithashtu të nderojmë sot një pingpongist, që u bë kampion që në moshën 15-vjeçare, Ilir Shabanaj, me arritje të suksesshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, i cili duhet mbështetur në pasionin e tij për të përgatitur talentet e së ardhmes, aq më tepër që pingpongu është edhe një nga pasionet e mia. Duhet të nderojmë edhe Ollga Gjogun, një volejbolliste cilësore që ka nxjerrë qyteti juaj, e cila si kapitene e Tomorit e çoi këtë skuadër në nivelet më të larta kombëtare. Voljebolli ka qenë një sport mjaft konkurrues asokohe, andaj duhet ringritur në nivelet e dikurshme. Ndërsa i fundit, po jo më pak i rëndësishëm është ish-peshëngritësi, Vasil Hoço, një kampion absolut për peshat e lehta, të cilin e kam ndjekur nga afër. Duke parë këta emra të suksesshëm në vite, por dhe të tjerë, që tashmë janë pjesë e historisë së sporteve në Berat, atëherë duhet bërë çdo përpjekje për të ringjallur sportet, për t’i orientuar të rinjtë tanë drejt sportit, pasi përmes tij ata do të jenë më të shëndetshëm, por edhe më larg veseve të këqija.” 
Më tej lexohet motivacioni për secilin sportist dhe jepen dekoratat përkatëse. Protagonistët e kësaj ceremonie gjatë fjalës së tyre shprehën përmes emocioneve vlerësimin e tyre për Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, dhe Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj.