Sot pasdite në mjediset e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, Berat, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi ” aktorit beratas Thoma Rrapi. ( Pas vdekjes). Të pranishëm në këtë event kulturor ishin përfaqësues të Bashkisë Berat, anëtarë të Këshillit Bashkiak, të afërm të aktorit, vajza dhe djali i tij aktor, Aleksandër Rrapi, bashkëkohës artistë të të ndjerit Thoma Rrapi, miq e dashamirës të artit dhe kulturës.
Drejtuesi i këtij aktiviteti Shpëtim Dyrmishi, pasi prezantoi të ftuarit e këtij eventi, midis të cilëve përfaqësuesit e Bashkisë, Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, nënkryetaren e Bashkisë znj. Teuta Muçogllava, Sekretarin e përgjithshëm z. Gëzim Zema, i ftoi të pranishmit të ndiqnin një dokumentar të shkurtër, ku veçoheshin rolet më të spikatura të Thoma Rrapit në teatër dhe kinematografi. Po këtu bashkëkohës të Thoma Rrapit tregonin përshtypjet dhe mbresat e tyre për portretin e Thomait si njeri dhe aktor i spikatur i teatrit shqiptar.
Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Teuta Muçogllava, në emër të Kryetarit të Bashkisës, z. Petrit Sinaj, i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi ” aktorit Thoma Rrapit, të birit të tij, Aleksandër Rrapi, por theksoi njëkohësisht punën e veçantë që po bëhet nga Bashkia Berat për evidentimin dhe vlerësimin e të gjithë figurave që kanë dhënë një kontribut të çmuar për artin dhe kulturën beratase.
Ndërsa Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, vlerësoi lart kontributin e regjisorit dhe akatorit Thoma Rrapi në jetën kulturore dhe artistike të qytetit. Ajo theksoi se vendimi i Këshillit Bashkiak për akordimin e një titulli të tillë për aktorin beratas ishte unanim, pasi figura artistike e aktorit të mirënjohur, kontributi i tij në fushën e artit qoftë si regjisor, por edhe si aktor është mjaft i veçantë.
Djali i aktorit, Aleksandër Rrapi, i cili eci në gjurmët e të atit, duke u bërë një emër i njohur i artit jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin që Bashkia Berat, e veçanërisht z. Petrit Sinaj, i bën figurës së babait të tij.
Për nder dhe respekt të aktorit Thoma Rrapi, megjithëse në moshë të thyer, u ngjit në skenë bashkëkohësja dhe nxënësja e tij, Pavlina Roco, e cila shprehu konsideratën dhe respektin e thellë që ajo kishte për regjisorin dhe aktorin beratas, duke treguar midis të tjerave edhe disa momente të veçanta të punës me të.
Epilogu i këtij eventi artistik do të ishte shfaqja e dramës “Emigranët rikthehen”, në të cilën loja mjeshtërore e aktorit Aleksandër Rrapi dhe e Thoma Rrapit të Ri, do të fitonte duartrokitjet e ngrohta të të pranishmëve në sallë.
Në fund, në hollin e Pallatit të Kulturës, për nder të të ftuarëve u shtrua edhe një koktej.