Këshilli Bashkiak i Beratit dje ka miratuar projektin e By-Passit, të qytetit muze. Projekti përfshin ndërtimin e By-Passit të Beratit, sistemimin e lumit Osum dhe përfshirjen e tij në planin e përgjithshëm rregullues të qytetit, duke u parashikuar të shpenzohen rreth 40 milionë euro. Kjo, falë bashkëpunimit midis Bashkisë së Beratit me studiot Infra Trans Projekt Ltd, Ark-Tek sh.p.k. dhe shoqërisë spanjolle GPO. By-Passi do të kalojë nga Ura e Re, do të futet në një tunel në kodrën e Urës së Goricës, do të kalojë në fshatin Bilçë dhe do të përfundojë në lagjen Uznovë. Kjo ndërhyrje do të përfshijë: Së pari, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 1.2 km, i cili do të shërbejë për kalimin në anën juglindore të qytetit, duke përshkuar kodrat e Gorricës. Së dyti, ndërtimin e një segmenti rrugor prej 3210 metër linear nga dalja e tunelit deri në bashkimin me rrugën kryesore “Antipatrea” në pjesën e lagjes Uznovë. Së fundi, ndërtimin e një sistemi bashkues me urën që do të lidhin dy spontet e lumit Osum me gjatësi 80 metër linear. Sipas specialistëve, jetësimi i këtij projekti do të eliminojë trafikun e rënduar në qytet, shmangien e rënies së masave shkëmbore mbi lagjet muzeale, eliminimin e rreziqeve nga përmbytjet e lumit Osum, përfitimin e hapësirave publike, etj.