Kompania shqiptare,“Al-Geosystem” ka prezantuar dy projekte të realizuara me kompaninë zvicerane “Geobruck”. Projekti i parë që kap vlerën e 530 mijë euro dhe synon mbrojtjen e lagjeve muzeale nga rënia e gurëve dhe i dyti me vlerë 40 mln euro parashikon ndërtimin e By-Pass-it të qytetit prej nga do të disiplinohet edhe lumi Osum. Takimi për prezantimin e projekteve është organizuar në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak. Në takim merrnin pjesë kryetari i bashkisë së qytetit muze Fadil Nasufi, specialistë të këtij institucioni e të ftuar të tjerë. Kryebashkiaku Nasufi, pasi ka falënderuar studiot, i vlerësoi dy projektet si shumë të rëndësishme për qytetin e Beratit. “Si projekti për mbrojtjen e zonave muzeale nga rënia e gurëve, ashtu edhe ai për By-Pass-in, brenda të cilit përfshihet edhe trajtimi i lumit Osum janë shumë të rëndësishme për qytetin tonë. Realizimi i projektit të By-Pas-it, do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e trafikut të mjeteve të rënda të cilat nuk do të kalojnë më brenda qytetit. Kjo zgjidhje është brenda planit rregullues të qytetit, me rrjetin rrugor, perspektivën dhe me problemet emergjente që duhet të trajtohen”-u shpreh kryebashkiaku Nasufi. Prof. Dr. Faruk Kaba (managing director) u tha të pranishmëve se kompania zvicerane “Geobruck”, është nga më të mirat në botë për trajtimin e këtyre lloj problemeve, siç është rënia gurëve në zonën muzeale “Mangalem” dhe realizimi i By-Pass-it të qytetit. Projektin për mbrojtjen e zonave muzeale nga rënia e gurëve e prezantoi përfaqësuesi i kompanisë shqiptare “Al-Geosystems” ing. Ilirjan Panariti, i cili tha se pas studimit të strukturës së shkëmbit dhe shkaqeve të rënies së gurëve projekti i kompanisë zvicerane “Geobruck” ka realizuar projektin përkatës i cili synon të zgjidh për të paktën 50 vjet problemin e rënies së gurëve nga pjesa shkëmbore e lagjes muzeale “Kala”. Sipas studimit pjesa shkëmbore mbi lagjen muzeale “Kala” është një formacion problematik që ndikohet nga shumë faktorë. Faktorët më të rëndësishëm janë; bimësia (rrënjët), përbërja e strukturës së materialit shkëmbor, faktorët klimaterikë etj..
Sipas projektit mbrojtja do të bëhet nëpërmjet barrierave të cilat konsistojnë në vendosjen e rrjetave metalike të xingut me alumin. Kjo rrjetë mbrojtëse do lidhet me sfina metalike të vendosura në thellësi të shkëmbit dhe do të mbajë një peshë deri në 25 ton, gjë që garanton plotësisht mbrojtjen nga rënia e gurëve të pjesës shkëmbore sipër lagjes muzeale “Managlem”. Sipas ing. Panariti, projekti i cili synon që të shtrihet edhe në lagjen muzeale “Goricë” kap shumën prej 530 mijë euro.
Projektin e By-Pass-it të qytetit me vlerë 40 mln euro e prezantoi, ing. Entela Koja e cila tha se ku projekt synon që të disiplinoj edhe lumin Osum, prej nga do të përfitohen 42 ha tokë. Projekti i By-Pass-it (unazës së qyteti) i cili do të kaloj nga Ura e Re, në pjesën veri-lindore, lindore dhe jug-lindore të qytetit dhe që përfundon në lagjen Uznovë, parashikon ndërtimin e një ure mbi lumin Osum dhe të një tuneli me gjatësi 1. 2km. Sipas projektit puna për unazën e qytetit do të nis nga Ura e Re, do të kaloj në lagjen “Goricë”, nëpërmjet një ure do të kaloj mbi lumit Osum, dhe do të përfundoj në lagjen Uznovë. Të dy projektet; ai për mbrojtjen e lagjeve muzeale nga rënia e gurëve dhe By-Passi i qytetit kapin vlerën e 40. 530 mln euro, një investim ky shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për qytetin muze të Beratit.