Zhvilluam sot takimin mbi lançimin e projektit ‘’Monitorimi i industrive nxjerrëse‘’, organizuar nga Sekretariati Kombëtar EITI dhe Misioni i OSBE në Shqipëri.
Projekti synon të forcojë koordinimin ndërmjet Bashkive, Ministrive dhe Kompanive të cilat operojnë në sektorin e industrive nxjerrëse, me synim zgjidhjen e problematikave që kanë të bëjnë, me ndikimin infrastrukturor dhe mjedisor, eleminimin e dëmtimeve, përfitimet për banorët e zonave ku operojnë këto kompani, si edhe optimizimin e rentës minerale e cila përfitohet nga pushteti vendor.
Rishikimi i kuadrit ligjor, kryesisht në përfitimin e rentës minerare, por edhe në kontratat e qerave me kompanitë, ishin rekomandimet kryesore të Bashkisë Berat, me qëllim rritjen e investimeve të Bashkive në njësitë administrative ku ushtrojnë veprimtarinë industritë nxjerrëse.
Në takim ishin të pranishëm Kryetarët e Bashkive të Qarkut të Beratit, përfaqësues nga OSBE, përfaqësues të Ministrive të Financave, Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, drejtorive të doganave, tatimeve etj.
Jemi mjaft optimistë për ecurinë e projektit dhe ndikimit të tij në përmirësimin e situatës.