Përfaqësues të Bashkisë Berat janë duke marrë pjesë në një cikël trajnimesh në Akademinë e Hagës, Holandë, në fushën e sigurisë publike, transparencën qeverisëse dhe praktikat e përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje. Trajnimet janë duke u mbështetur nga Agjencia Ndërkombëtare e Bashkëpunimit e Shoqatës së Bashkive Holandeze (VNG), së bashku me partnerin lokal shqiptar – Fondacioni për Autonomi dhe Qeverisje Lokale (FLAG), të cilët janë mandatuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës për të zbatuar në Shqipëri projektin MATRA që synon të forcojë kapacitetet e institucioneve përkatëse në fushen e sigurisë publike.
Objektivi specifik është rritja e kapaciteteve në nivel komuniteti, bashkie dhe në nivel qendror për të hartuar dhe zbatuar në mënyrë eficente politika efektive dhe të përgjegjshme të sigurisë publike dhe garantimin e marrëdhënieve të mira në të gjithë komunitetin dhe parandalimin/ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve brenda komunitetit.
Bashkia Berat është përzgjedhur si një ndër pesë bashkitë pilote në Shqipëri për të qenë pjesë e këtij projekti, ku përfaqësuesit bashkiakë do të komunikojnë nevojat e tyre, do të shkëmbejnë përvojën me aktorët holandezë të sigurisë, për të fituar nga praktikat më të mira. Në trajnime marrin pjesë gjithashtu përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Berat dhe përfaqësues të shkollave të Beratit.
Grupi shqiptar zhvilloi edhe një takim në ambasadën shqiptare në Holandë, me ambasadoren Aida Sakiqi, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe zgjerimit të informacionit për Beratin në organizatat holadeze .