Në mjediset e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” u zhvillua sot pasdite ceremonia e ndarjes së çmimeve “Njeriu i vitit 2017” nga Bashkia e Beratit dhe e Titujve të Nderit nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Prefekti i Qarkut, z. Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, deputetë, përfaqësues të klerit, punonjës të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë.
Bashkia e Beratit vlerësoi me çmimin “Njeriu i vitit 2017” dy figura të spikatura:
1. Mimoza Sinanaj, gazetare, me motivacionin: “Për kontributin e saj si gazetare në mediat lokale dhe televizionin Top Channel, një figurë e njohur e gazetarisë dhe shoqërisë civile, e cila ka pasqyruar me profesionalizëm, vërtetësi dhe objektivitet gjithë zhvillimet, duke u kthyer në një zë të fuqishëm për opinionin publik.
2. Oltion Dervishi, Kompania TAP, në Departamentin e Investimeve Sociale dhe Mjedisore, me motivacionin: “Për kontributin e tij në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve me cilësi të lartë, duke punuar me këmbëngulje dhe dashuri për Beratin, si një ndër ekspertët më të mirë të projekteve të zhvillimit të qytetit të Beratit”.
Presidenti i Republikës vlerësoi me Titullin e Nderit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes, Iljaz Vrionin, një prej intelektualëve më të shquar beratas; politikan, diplomat, patriot dhe një nga mbrojtësit më të flaktë të çështjes shqiptare.
Ndërsa me titullin “Për merita të veçanta civile” Presidenti i Republikës vlerësoi mjekun Zino Matathia; studiuesin dhe përkthyesin Çlirim Mukli; mjekun Kozma Brisku; biznesmenin Edi Shabanaj dhe këngëtaren e muzikës qytetare beratase, Virgjini Mile.