Perfaqësues të Bashkisë Karmiel, Izrael, bashki binjake e Beratit, kryen një vizitë në Bashkinë e Beratit. Vizita u organizua në kuadër të lidhjeve dhe të bashkëpunimit midis dy qyteteve. Dy kryetarët e bashkive respektive, Berat dhe Karmiel, z. Petrit Sinaj dhe z. Adi Eldar, diskutuan mbi mundesitë e projekteve konkrete dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit, kulturës, nxitjes së sektorit të turizmit dhe të bujqësisë. Linja e re ajrore direkte Tiranë – Tel Aviv, e cila do të fillojë së shpejti, do të nxisë fluksin e turistëve izraelitë në Shqipëri. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori i Izraelit në Shqipëri dhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Izrael. Mysafirët ndoqën edhe një ekspozitë fotografike mbi shpëtimin e Hebrenjve në Berat.