Home / Aktivitete / Konkursi “Kangur 2017”

Konkursi “Kangur 2017”

Në Bashkinë e Beratit u zhvillua ceremonia e dhënies së certifikatave të Konkursit “Kangur 2017” për nxënësit fitues në lëndën e Matematikës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë nxënësit fitues, drejtorë të shkollave 9-vjeçare të qytetit, mësues të lëndës së matematikës, prindër etj. Të pranishëm ishin gjithashtu Kryetari i Bashkisë, z.Petrit Sinaj, Koordinatorja e Shoqatës për Beratin, Prof.Dr. Valentina Sinaj, Dr. Robert Kosova etj. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë z.Petrit Sinaj, falenderoi drejtoritë e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit pjesëmarrëse në këtë konkurs, mësuesit e lëndës së matematikës dhe nxënësit fitues. Ndër të tjera, z. Sinaj, duke vlerësuar rolin e dijeve në formimin e brezave dhe zhvillimin e shoqërisë, shprehu mirënjohjen e tij për rezultatet e arritura, por njëkohësisht motivoi dhe nxiti stafet mësimore, prindërit dhe nxënësit që t’i përkushtohen edhe më shumë përvetësimit të programeve mësimore, si e vetmja rrugë që një shoqëri të mund të zhvillohet, të përparojë dhe të bashkohet me kombet e qytetëruara.


Koordinatorja e Shoqatës për Beratin, znj.Valentina Sinaj, falenderoi stafet mësimore dhe nxënësit fitues të Konkursit “Kangur 2017”, përkatësisht të shkollave “Llambi Goxhomani”, “Babë Dudë Karbunara”, “22 Tetori” dhe Allambrez, për pjesëmarrjen dhe sukseset e arritura. Ajo premtoi se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me shkollat dhe mësuesit e matematikës, duke ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës së këtyre shkollave, për të arritur rezultate edhe më të larta në konkurset në vijim. Certifikatat nxënësve të dalluar ua shpërndanë Kryetari i Bashkisë, z.Petrit Sinaj, dhe koordinatorja e Shoqatës për Beratin, Prof. Dr. Valentina Sinaj.