Home / Aktivitete / FESTOHET 73-VJETORI I ÇLIRIMIT TË ATDHEUT

FESTOHET 73-VJETORI I ÇLIRIMIT TË ATDHEUT

Në respekt dhe mirënjohje të veprës së dëshmorëve, me rastin e 73-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, u zhvilluan sot homazhe në varrezat e dëshmorëve të qytetit. Në këtë ceremoni përkujtimore merrnin pjesë drejtues të pushtetit vendor, deputetë të Qarkut Berat, përfaqësues të forcave politike, familje të dëshmorëve, veteranë e pasardhës të veteranëve, të cilët shprehën nderimin, respektin dhe mirënjohjen e tyre për mundin, sakrificat dhe gjakun e të rënëve për liri.
Fjalën e rastit në këtë veprimtari përkujtimore e mbajti Nënkryetari i Bashkisë, z. Bledar Blana, i cili ndër të tjera tha: “Jemi këtu për të kremtuar këtë ditë të çmuar të lirisë, ditën që kurorëzoi përpjekjet e dëshmorëve të atdheut, atyre që dhanë gjakun e tyre për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. 29 Nëntori sjell në përfytyrimin tonë ditët e rezistencës antifashiste të një kombi të vogël, që luftoi me heroizëm për të qenë i lirë dhe i pavarur. Me këtë rast, shprehim sot mirënjohjen, nderimin dhe respektin tonë për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët sjellin në ditët tona shembuj të shumtë të kurajës, rezistencës dhe bashkimit, përtej ndasive etnike, fetare, shoqërore dhe politike, në emër të mirëqenies, paqes, dashurisë dhe humanizmit që duhet të ekzistojë mes njerëzve. E vetmja gjë që mund të bëjmë ne sot është që të frymëzohemi nga historia e të parëve tanë dhe të bëjmë çdo përpjekje që vendi ynë të njohë zhvillim dhe progres, duke u integruar plotësisht si anëtar i denjë i familjes evropiane. Kjo do të ishte përmbushja më e mirë e ëndrrave dhe idealeve të atyre që luftuan dhe derdhën gjakun e tyre për liri. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut! Gëzuar festën e Çlirimit!”.
Ajo që i dha tone solemne kësaj ceremonie, përveç Orkestrës Frymore të qytetit, ishte dhe pjesëmarrja për herë të parë e ushtarakëve të Repartit 1030, Poshnjë, Berat.