Home / Aktivitete / Festat e veres ne Berat

Festat e veres ne Berat

Bashkia Berat në funksion të nxitjes së turizmit dhe jetës kulturore në qytet, ka hartuar një program të ngjeshur aktivitetesh përgjatë gjithë sezonit të verës, i cili përkon me fluksin më të madh turistik në qytet.

 Në muajin qershor u organizua në fshatin Mbreshtan ‘’ Festivali i qershive’’, ndërsa në qytet spektakli ‘’Verë dhe Portokalle’’, si dhe ‘’Festa e Miqësisë‘’ një event 4 ditor, të cilët pushtuan qendrën e qytetit dhe pedonalen.
 Ne muajin korrik do të fillojnë ‘’Fundjavat në Berat’’, një program eventesh që do të shtrihet deri në shtator, ku çdo fundjavë do të ketë programe kulturore dhe argëtuese për çdo grupmoshë, përfshirë koncerte, ekspozita, panaire, konkurse etj., të cilat do të zhvillohen në ambientet e hapura në bulevardin “Republika” dhe në Parkun Qendror të qytetit.
 Ne 8 korrik do të organizohet Dita e Unesco-s, ku do të ketë një program kulturor në qytet.
 Ne daten 18 korrik është parashikuar organizimi i një parade makinash të stilit te vjetër nga Europa, të cilat do të pozicionohen në sheshin “Teodor Muzaka”.
 Në datat 20-22 korrik do të organizohet edicioni i katërt i Festivalit Multikulturor të Beratit, ku do të ketë një mori performancash të artistëve të njohur të muzikës.Por gjithashtu gjatë ditëve të Festivalit do të organizohen panaire libri dhe artizanati, ekspozita të trashëgimisë kulturore dhe performanca të tjera artistike në qendrën e qytetit dhe kalanë e tij.
 Ne daten 24 korrik do të organizohet ‘’Maratona e Këngës‘’, edicioni i dytë, ndërsa në muajin gusht ‘’Kinemaja verore‘’ në parkun qendror të qytetit. Përgjatë muajit gusht do të vijojnë ‘’Fundjavat në Berat’’ dhe më pas në muajin shtator, në datat 18-19 shtator ‘’Festa e Eko -Turizmit ‘’ në fshatin Roshnik, ndërsa në datën 29 shtator ‘’Festivali Folk – Art‘’ në kalanë e qytetit, me pjesëmarrjen e grupeve të muzikës popullore nga rajoni i Beratit.