Home / Aktivitete / SHPALLEN FITUESIT E OLIMPIADËS XXIII TË MATEMATIKËS

SHPALLEN FITUESIT E OLIMPIADËS XXIII TË MATEMATIKËS

 Bashkia Berat, QKF Berat dhe Qendra Kulturore “Margarita Tutulani” organizuan sot në mjediset e Qendrës Kulturore një koncert festiv, i cili i dedikohej të gjithë pjesëmarrësve të Olimpiadës XXIII Mbarëshqiptare të Matematikës, veçanërisht fituesve të saj. Në interval të këtij koncerti u ndanë çmimet, diplomat dhe medaljet për nxënësit fitues. Mysafiri i veçantë i këtij aktiviteti ishte Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, të cilin organizatorët e Shoqatës “Pascal” të Tetovës, në emër të Kryetares së Komunës të Tetovës, e nderuan me një pllakatë mirënjohjeje, ndërsa QKF Durrës e nderoi me titullin “Miku i fëmijëve”. Në fjalën e tij Presidenti Meta, pasi uroi organizatorët e kësaj olimpiade dhe të gjithë pjesëmarrësit, ndër të tjera tha: “Matematika është baza e të gjitha disipilinave shkencore, që të mundëson zgjidhjen e çdo situate të vështirë, prandaj studimi i saj krijon premisa për të fituar çdo betejë të vëshirë që jeta mund të ofrojë. Uroj sot medalistët e kësaj olimpiade mbarëshqiptare, por, kur mora vesh që fituesja, me 99 pikë nga 100, ishte Johana Bendaj e klasës IX nga Berati, u ndjeva krenar, pasi Beratit s’i kanë munguar kurrë shkencëtarët, profesorët, shkrimtarët, artistët e sportistët. Prandaj, buqetën time të luleve ia dhuroj Johanës për të plotësuar numrin 100, si simbol i mendjes së bukur. Një falenderim dhe mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë mësuesit, të cilët pasionin për matematikën ua transmetojnë nxënësve të tyre. Dhe në fund një urim për nxënësit pjesëmarrës, këtej dhe andej kufirit, pasi sot të gjithë janë fitues.”

Fituesit e OLIMPIADËS XXIII MBARËSHQIPTARE TË MATEMATIKËS sipas klasave:
– Mateo Velaj, klasa VII – Vlorë
– Tedi Kallço, klasa VIII – Durrës
– Johana Bendaj, klasa IX – Berat