Home / Aktivitete / 7 Marsi

7 Marsi

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Bashkia e Beratit organizoi sot pasdite në njërin nga mjediset e saj një aktivitet kulturor të konceptuar në formën e një show artistik, në të cilin morën pjesë Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, përfaqësues të pushtetit vendor, mësues aktiv nga shkolla të ndryshme, si dhe mësues në pension, drejtues institucionesh shkollore, nxënës të shkollave, prindër, qytetarë etj.
Kryebashkiaku Sinaj përshëndeti të gjithë mësuesit, duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm që ata kanë në edukimin e brezave. Ai shtoi se ende mbetet aktuale dhe sot aksioma e rilindësve se vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë, prandaj nderimi dhe respekti ndaj mësuesit është nderim dhe respekt ndaj dijes dhe vlerave më të larta të një shoqërie.
Në këtë program artistik ishin të ftuar disa nga këngëtarët më të njohur të qytetit, si: Ajet Caushi, Sebastiano Berisha, Dhimitër Dushi, të cilët kënduan këngë që i kushtoheshin mësuesve dhe nënave. Recitoi vargje për mësuesit, aktori dhe regjisori i Pallatit të Kulturës ”Margarita Tutulani” z. Shpëtim Dyrmishi.
Pika kulminante e këtij aktiviteti ishte ndarja e certifikatave të mirënjohjes mësuesve më të spikatur të Bashkisë së Beratit, të cilët u vlerësuan për kontributin e çmuar që ata kanë dhënë dhe japin në edukimin e brezave.