Home / Trashëgimia

Trashëgimia

Trashëgimia kulturore e qytetit të Beratit është unike, mjaft e pasur dhe e larmishme. Trashëgimia e ndërtuar, e mishëruar më së miri në lagjet karakteristike, Mangalem, Goricë, dhe Kala, është një aset kulturor, arkitekturor, historik, social-ekonomik dhe natyror mjaft i rëndësishëm. Ajo luan një rol të rëndësishëm edhe në kontekstin urban të qyteti duke e diversifikuar dhe ndihmuar në sistemin e tij. Trashëgimia e ndërtuar përbëhet prej shtëpive monument në qendrën historike, kisha, xhami, teqe, si dhe nga fortifikimet. Të gjitha i dhanë Beratit në vitin 2008 statusin e qytetit në UNESCO.

Shtëpitë popullore kanë një arkitekturë që i përket shekullit të XVIII-XIX. Ato vlerësohen të jenë rindërtuar në masë pas tërmetit të viti 1851. Elementë të spikatur në arkitekturën e tyre janë dritaret, erkerat, ndërtimi sipas strukturës së shkëmbit, kompozicioni dhe harmonia e vendosjes pranë njëra tjetrës.

Monumentet e kultit zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm në trashëgiminë tonë kulturore. Ato përbëhen kryesisht nga kishat, xhamitë dhe teqetë.

Kishat më të vjetra i përkasin shekujve të XII-XIII. Ato janë kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Shën Mëri Vllahernës dhe Kisha e Shën Triadhës. Kisha e Shën Mëri Vllahernës përmban afreske në të gjithë sipërfaqen e brendshme të cilat fatmirësisht janë ruajtur mirë në këtë kishë. Në të mund të dallohen, shenjtorë, skena biblike, simbole etj. Kjo kishë përbën një nga thesaret e trashëgimisë arkitekturore dhe të pikturimit të afreskeve në Berat.

Ndër xhamitë më të hershme mund të përmendim Xhaminë e Kuqe, Xhaminë e Plumbit, Xhaminë e Beqarëve dhe Xhaminë Mbret. Xhamia Mbret dhe Xhamia e Beqarëve përveç vlerave arkitekturore kanë edhe vlera artistike, të pikturimit dhe të gdhendjes në dru. Midis teqeve përmendim Teqenë e Helvetive e cila ka vlera të jashtëzakonshme arkitekturore, artistike dhe kulturore. Pikturimi dhe gdhendja e tavanit e rendisin atë midis teqeve historike më të bukura të Shqipërisë.

Vlerat fortifikuese të qytetit të Beratit janë të mishëruara kryesisht në Kalanë e Beratit dhe elementët e tjerë fortifikues të cilët e përbëjnë atë si p.sh. kulla, mure, bedena etj.

Për më tepë vizitoni faqen www.beratkulture.org