Home / Transparenca

Transparenca

PROGRAMI I TRANSPARENCËS BASHKIA BERAT

1.HYRJE

Transparenca dhe llogaridhënia janë dy parime të rëndësishme të vetëqeverisjes vendore. Transparenca është publikimi i informacionit mbi organizimin dhe funksionimin e bashkisë, (organet dhe administrata e bashkisë), menaxhimin financiar, trajtimin e kërkesave për informacion, shërbimet publike që ofron bashkia, pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje, legjislacionin dhe aktet e brendshme rregullatore në mënyrë të tillë që të jetë i aksesueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm nga individët dhe grupe të caktuara të shoqërisë, duke respektuar kufizimet e arsyeshme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë.

Transparenca dhe llogaridhënia janë të lidhura me njëra-tjetrën, ku transparenca e autoriteteve të  qeverisjes vendore përfaqëson një hap  të parë drejt llogaridhënies së   të zgjedhurve vendorë dhe ndërtimit të besimit me komunitetin. Detyrimet ligjore që rrjedhin nga Ligji Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, dhe Ligji Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik” u garantojnë qytetarëve akses në qeverisje dhe kushtet e duhura për të ushtruar të drejtat e tyre qytetare. Nëpërmjet Programit të transparencës, bashkia [emri i bashkisë] vendos në dispozicion të qytetarëve një kategori të gjerë informacionesh, mënyrat dhe afatet e publikimit të tyre si dhe procedurat për të aksesuar e përdorur ato.

Programi model është hartuar në përputhje me nenin 7 të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” dhe i përshtatur në kontekstin e vetëqeverisjes vendore në përputhje dhe në zbatim të kushtetutës, ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ligjit Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, ligjit Nr. 68/2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” si dhe të ligjit Nr.8548, datë 11.11.1999 Për Ratifikimin e “Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore”.

2.PARIME TË PËRGJITHSHME

Për garantimin e të drejtës së informimit, bashkia në hartimin e Programit të Transparencës është bazuar në parimin e:

a)Vendosjes në dispozicion të çdo qytetari, të gjithë informacionit të prodhuar nga veprimtaria e bashkisë (nga organet e saj, administrata, njësitë administrative dhe njësitë e varësisë).

b) Ligjshmërisë, transparencës dhe të mos diskriminimit.

c)Ofrimit të informacionit pa pagesë. Informacioni i kërkuar në rrugë elektronike i jepet çdo qytetari pa pagesë. Çdo qytetar përfiton informacion pa pagesë deri në

….faqe, mbi këtë numër faqesh qytetari paguan një tarifë shërbimi prej….lekësh.

d) Aksesit për këdo. Aksesi për shtresat më të varfra të komunitetit, qytetarët me aftësi të kufizuar, gratë, të rinjtë, biznesin, fermerët, qytetarët e zonave të largëta etj., merr përparësi

d) Thjeshtëzimit të procedurave administrative për aksesin në informacion.

f)  Dhënies së informacionit sa më shpejtë që të jetë e mundur.

g)Cilësisë së informacionit. Çdo informacion në dispozicion të qytetarëve do të jetë:

  • i plotë;
  • i saktë;
  • i përditësuar;
  • i thjeshtë në konsultim;
  • i kuptueshëm;
  • lehtësisht i aksesueshëm;
  • i pajtueshëm me dokumentet origjinale në administrim të bashkisë;
  • lehtësisht i përdorshëm.

3. INFORMACIONI QË BËHET PUBLIK PA KËRKESË

Për t’i bërë më të thjeshtë, të kuptueshëm, të aksesueshëm dhe të përdorshëm të 16 kategoritë e informacionit, të parashikuar shprehimisht në nenin 7 të ligjit  Nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” (në vijim ligji), janë përshtatur me kontekstin e vetëqeverisjes vendore; me misionin, detyrat, funksionet dhe kompetencat e bashkisë. Në këtë optikë tabela përmbledhëse e Programit është ndarë në 7 fusha kryesore:

Fusha e parë: Mbi organizimin dhe funksionimin e bashkisë, përfshin kategoritë e informacionit që bëhen publik pa kërkesë të përcaktuar nga neni 7 (pika: a; d; g; ç, dh) i ligjit. Kjo fushë iu ofron qytetarëve informacion për ndarjen administrativo-territoriale, njësitë administrative përkatëse dhe nën-ndarjet e tyre, për misionin dhe funksionet e bashkisë, për organet e zgjedhura, për administratën e bashkisë, për statistikat vendore, për mekanizmat monitorues dhe të kontrollit si dhe për të drejtën e kërkesës, ankesave dhe vërejtjeve të qytetarëve që lidhen me  veprimet  ose  mosveprimet  e  organeve  dhe administratës së bashkisë.

Fusha e dytë: Transparenca dhe llogaridhënia ekonomiko-financiare, përfshin kategoritë e informacionit të përcaktuar nga neni 7 (pika: dh; e; ë) i ligjit. Këto kategori informacioni janë përshtatur me kërkesat e ligjit Nr. 68/2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”. Në këtë fushë përfshihen informacione që kanë të bëjnë me planin strategjik të zhvillimit të bashkisë, me programin buxhetor afatmesëm vendor, me paketën fiskale (taksa dhe tarifa), me buxhetin vjetor, me zbatimin, monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin e buxhetit, me donacionet si dhe shitjen ose dhënien me qira të pronave dhe aseteve.

Fusha e tretë: Për kërkesat për informim, përfshin vendosjen në dispozicion të qytetarëve të  informacionit që ka të bëjë me procesin, procedurat, format  dhe afatet   e kërkesës për informim. Përmbledhja e katër kategorive të informacionit të përcaktuar në nenin 7 (pika c; ç; i; dhe k) të ligjit, në një fushë të vetme, lehtëson aksesin e qytetarëve për këto kategori informacioni, i orienton dhe udhëzon ato se si mund të bëjnë një kërkesë për informim.

Fusha e katërt: Mbi shërbimet që ofron bashkia, përfshin informacion mbi shërbimet që ofron bashkia të përcaktuara në nenin 7 (pika: f; j, ë dhe pjesërisht pika a) të ligjit. Nëpërmjet kësaj fushe vihet në dispozicion të qytetarëve informacioni për shërbime publike që ofron bashkia, llojet e shërbimeve, instrumentet e administrimit, kontratat publike, strukturat përgjegjëse, procedurën e ankimit në lidhje me kontratat publike, standardet, treguesit, procedurat për të përfituar shërbime si dhe procedurat e ankesës dhe vërejtjes në lidhje me shërbimet.

Fusha e pestë: Legjislacioni dhe aktet e brendshme rregullatore, informacion i përcaktuar në nenin 7, pika b të ligjit. Kjo fushë u ofron qytetarëve informacion për legjislacionin, politikat, vendimet, urdhëresat dhe urdhrat karakter normativ të organeve të bashkisë. Për të lehtësuar qasjen në informacion, fusha e legjislacionit është ndarë sipas funksioneve.

Fusha e gjashtë: Pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje, përfshin informacion në lidhje me  procesin,  procedurat, kuadrin rregullator vendor, listën e akteve vendore që i nënshtrohen konsultimit publik dhe nismat qytetare.

Fusha e shtatë: Informacion tjetër, bashkia vë në dispozicion të qytetarëve informacion të ndryshëm të tillë si proceset e integrimit evropian (programet dhe projektet); shoqëria civile; raporte, studime dhe vlerësime të ndryshme, veçanërisht ato në lidhje me vlerësimin e transparencës etj; vet-organizimi komunitar etj.

4. TABELA PËRMBLEDHËSE E PROGRAMIT TË TRANSPARENCËS [kliko këtu]

5. PUBLIKIMI

Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, Kryetari i Bashkise vendos në dispozicion të publikut në faqen e tij të internetit [www.bashkiaberat.gov.al] dhe në mjediset e pritjes së publikut, kategoritë e mësipërme, në një menu të veçantë të titulluar “Transparenca”.

6. MONITORIMI

Komisioneri për të Drejtën e  Informimit dhe Mbrojtjen e  të Dhënave Personale monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, duke nxitur parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit.