Home / Njoftime / PRESIDENTI META NË BERAT PËR T’U NJOHUR ME SITUATËN

PRESIDENTI META NË BERAT PËR T’U NJOHUR ME SITUATËN

Për t’u njohur me situatën e përmbytjeve ishte për vizitë në Berat mbrëmjen e sotme, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Ai shoqërohej nga Prefekti i Qarkut Berat, z. Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor dhe stafi i tij. Ndalesën e parë Presidenti e bëri në konviktin e shkollës “Stiliano Bandilli”, ku u njoh me masat që janë marrë për akomodimin e 50 personave, të cilëve u janë rrezikuar shtëpitë nga përmbytja. Në takimin me Prefektin e Qarkut, z. H. Dafa dhe Kryebashkiakun z. P. Sinaj, Presidenti i Republikës u informua rreth zonave të përmbytura, si dhe punën që është bërë nga strukturat e pushtetit vendor për rikthimin e gjendjes së normalitetit. Zoti Meta, midis të tjerave, përgëzoi punonjësit e Bashkisë për impenjimin e tyre në përballimin e situatës.