NJOFTIM PËR PUBLIKUN
Projekti: “Përmirësimi i Infrastrukturës, Hapësirave Publike dhe Monumenteve Kulturore në Kalanë e Beratit”
Bashkia Berat publikon për njohje dhe konsultim nga publiku dokumentacionin teknik të projektit “Përmirësimi i Infrastrukturës, Hapësirave Publike dhe Monumenteve Kulturore në Kalanë e Beratit”.
Ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së hapësirave publike në zonën historike të Kalasë së Beratit, si dhe rehabilitimin dhe mbrojtjen e monumenteve kulturore, duke respektuar vlerat historike, arkitektonike dhe urbanistike që e bëjnë këtë zonë një prej pasurive më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe pjesë të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ndërhyrjet e parashikuara synojnë të kontribuojnë në ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore, përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, rritjen e aksesueshmërisë dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe në harmoni me karakterin autentik të Kalasë.
Në kuadër të transparencës institucionale dhe informimit të publikut, dokumentacioni i projektit vihet në dispozicion për t’u njohur nga të gjithë të interesuarit.
Dokumentacioni përmban:
- Projekt-propozimin teknik, në format PDF;
- Relacionet dhe specifikimet teknike shoqëruese;
- Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Trashëgimi (HIA – Heritage Impact Assessment).
Dokumentacioni i plotë i projektit mund të konsultohet në linkun e mëposhtëm
https://www.swisstransfer.com/
Paraqitja e komenteve dhe sugjerimeve
Të gjithë të interesuarit janë të ftuar të paraqesin komentet, sugjerimet apo vërejtjet e tyre lidhur me dokumentacionin e projektit, në adresën elektronike info@bashkiaberat.gov.al ose në rrugë postare, në adresën:
Bashkia Berat
Bulevardi “Republika”, Berat.
Data dhe ora e zhvillimit të dëgjesës publike, në kuadër të prezantimit dhe diskutimit të projektit, do të bëhen të ditura në një njoftim të veçantë në vijim.
Bashkia Berat mirëpret kontributin e qytetarëve dhe të gjithë aktorëve të interesuar, në funksion të një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për përmirësimin e infrastrukturës dhe ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme të Kalasë së Beratit.
Bashkia Berat Për një Berat të Qytetarëve