Që prej datës 15.08.2013, bashkia e qytetit muze do të kete dokumentin kryesor të planifikimit dhe zhvillimit urban: “Plani i Përgjithshem Vendor, për Planifikimin e Territorit të Njësisë Vendore bashkia, Berat” i cili me Vendimin Nr.7, datë 20.12.2012 të KKRTSH, ka hyrë në fuqi menjëherë. Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Beratit Fadil Nasufi, në një konferencë për shtyp, i cili ka bërë publike për mediat fillimin e zbatimit të Planin të Përgjithshëm Rregullues dhe menaxhimin e territorit urban të qytetit. Për këtë plan është punuar nga specialistët që prej vitit 2004 e në vazhdim deri sa ai u paraqit për miratim pranë KKRTSH. I pranishëm në prezantimin e planit regullues ka qënë edhe Redin Kusta, drejtori i urbanistikës në bashki, i cili foli për anën teknike e inxhinierike të zbatimit të këtij projekti. Kryetari i bashkisë Nasufi ka konfirmuar se për hartimin e këtij plani janë kryer studime mjedisore, urbanistike e historike si dhe është marrë në konsideratë statusi i Beratit si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO si dhe respektimi i kritereve të menaxhimit të Qendrës Historike. Nasufi shprehet se implementimi i këtij plani, që parashikon edhe zgjerimin e vijës administrative të Beratit, do të ndikojë në strategjinë e zhvillimit të qytetit dhe rritjen e cilësisë së jetës. Plani i Përgjithshëm rregullues i qytetit, që do të fillojë muajin e ardhshëm, parashikon zgjerim rrugësh, ndërtimin e Unazës së re të qytetit që do të stabilizojë qarkullimin e automjeteve, rehabilimin e shtratin të lumit Osum, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e disa lulishteve në qytet si dhe prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje që ndodhen në vijën ku do të zbatohet projekti.