Home / lajme / Çmimi letrar 2025  “Vexhi Buharaja 2025 ” Ediconi i VI- të

Çmimi letrar 2025  “Vexhi Buharaja 2025 ” Ediconi i VI- të

Çmimi letrar 2025  “Vexhi Buharaja 2025 ” Ediconi i VI- të

 

Jetëshkrimi i poetit, përkthyesit, studiuesit, emërmbajtesit të bibliotekës së qytetit Berat,  Vexhi Buharaja.

U lind më 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat, i biri i Hoxhë Ibrahimit të Ismail Efendiut. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si student i dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi te familja e tij në Berat. Familja e tij strehoi hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Më 1946-ën e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, u detyrua të bënte punë të rënda fizike për të mbijetuar. Më pas u pranua në punë si mësues, duke dhënë lëndën e gjuhës ruse të mësuar në burg.

Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane. Duke u mbështetur në këtë material, shkroi studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilin e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968. Më 1975 në maj u dëbua nga puna në Institutin e Historisë.

Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj.

Ka kryer një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr. Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Përveç dokumenteve historike, ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike“Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri dhe veprën “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit.

 

Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, më 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare.[2][3]

 

Çmimi letrar “Vexhi Buharaja 2025”

Me rastin e 105-vjetorit të lindjes së dijetarit, përkthyesit, studiuesit dhe poetit Vexhi Buharaja, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Z. Ervin Demo, Bashkia e Beratit shpall Çmimin Mbarëkombëtar Letrar “Vexhi Buharaja 2025” Edicioni i VI–të në letërsi.

 

Gjinitë letrare në të cilat do të zhvillohet ky çmim:

1.Cikël poetik me 7 poezi

2.Cikël me 9 poezi të përkthyera.

 

Juria, Çmimi letrar “Vexhi Buharaja 2025”

Edicioni i V –të në letërsi.

1  Ymer Ciraku, Profesor, Doktor , Studiues i Letërsisë

2  Maklena Nika , Prof. Ass. Dr .Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

3  Aleksandër Çipa, publicist, gazetar, Kreu i Unionit të Gazetarëve

4   Rita Petro ( Filipi ) shkrimtare, poete

5  Yzedin Hima, poet, studiues, eseist, doktor në studimet letrare

 

Koha e dorëzimit të krijimeve për konkurim deri në: 10 MAJ 2025

Të gjithë tekstet mund t’i nisni në: info@bashkiaberat.gov.al

Për çdo paqartësi kontaktoni në nr e telefonit: +355696567838

Koha dhe vendi ku do të shpallen fituesit e konkursit: Fituesit e konkursit do të shpallen më 23 maj 2025, në 105-vjetorin e lindjes së Vexhi Buharasë. Me këtë rast do të zhvillohet dhe Ceremonia e dorëzimit të Çmimeve si në çdo vit.

Vendi, Biblioteka e Qytetit “ Vexhi Buharaja “ . Çmime do të ketë për secilën gjini letrare ( poezi, përkthime ) TOTAL 3 Çmime ( do të ndahen mes gjinisë poezisë & përkthimit sipas prurjeve të krijmtarive )

 

Rregullorja e çmimit “Vexhi Buharaja”

1.Ky çmim jepet çdo vit nga Bashkia e Beratit, nën kujdesin e kryetarit Bashkisë Z. Ervin DEMO dhe në bashkëpunim me institucione të tjera kulturore vendore dhe kombëtare, me sipërmarrës vendorë e më gjerë.

2.Çmimi letrar “Vexhi Buharaja” jepet çdo vit për veprën letrare në poezi, përkthim.

  1. Ky çmim ka gjeografi kombëtare (Shqipëri e viset e tjera ku jetojnë shqiptarët)
  2. Çmimi do të shpallet ne 23 maj 2025.
  3. Pjesëmarrësit mund të konkurojnë në të dy gjinitë e sipërpërmendura, por vetëm në një gjini do të vlerësohen. Poezitë parapëlqehen të jenë të përkthyera nga origjinali. Përkthimet të shoqërohen me tekstin e poezive në gjuhën origjinale në dorëzim.
  4. Pjesëmarrja në këtë konkurs është e lirë.

7.Për vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve, kryetari i Bashkisë formon jurinë profesionale prej 5 anëtarësh.

Juria do të jetë me pjesëmarrje nga specialistë të fushës Letërsisë, kritikë letrar, përkthyes, poet shkrimtar etj, nga i gjithë vendi.

  1. Veprat duhet të dorëzohen në faqen elektronike të konkursit të Bashkia Berat . info@bashkiaberat.gov.al

Gjithashtu, në dërgesë duhet të shkruhen qartë: Emër mbiemër i autorit pjesëmarrës në konkurs, datëlindja, ID dhe numri i telefonit. Krijimi të jetë në Word, jo me foto.

9.Për vitin 2025, çmimi do të organizohet sipas rregullave të viteve të mëparshme duke u përmirësuar vit pas viti.

  1. Publikimi i poezive/ Poezitë e përkthyera/ duhet të jenë krijime origjinale të autorëve. Çdo plagjiaturë do të çojë në skualifikimin e pjesëmarrësit.
  2. Çdo pjesëmarrës do të pajiset me një certifikatë ( dërguar me email ).
  3. Fituesit përfitojnë :

1) shumë monetare

2) Kupë e cila tashmë është kthyer në simbolikë të këtij çmimi

3) Një vepër të përkthyer nga Vexhi Buharaja. Fituesit do të njoftohen pasi juria të ketë vlerësuar krijimet letrare në gjinitë përkatëse si dhe duhet të jenë prezentë ditën e ceremonisë së çmimit.

  1. Krijimtaria e pjesëmarrësve do të botohet në website-in e Bashkisë dhe në portale letrare.
  2. Në përfundim të afatit të parashikuar të dorëzimit të krijimeve, e cila është dt. 10 MAJ 2025, juria do të shpallë fituesit për secilën gjini letrare të sipërpërmendur ( total 3 çmime ). Vendimi i jurisë është i pakontestueshëm.
  3. Shpallja e fituesve do të bëhet ditën e Ceremonisë së Çmimit më 23 maj 2025.
  4. Krijimet do të dorëzohen në adresën e Bashkisë, Beratinfo@bashkiaberat.gov.al ( adresë në funksion të konkursit të shpallur). Afati i fundit i dorëzimit të krijimeve është data 10 MAJ 2025.

Nga data 10 maj – 20 maj 2025 do të jetë koha e vlerësimit nga juria.

Më 23 maj 2025, 0ra 11.00 në Bibliotekën “Vexhi Buharaja” do të organizohet ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit letrar.