Një ndër 10 vendet me tërheqëse në botë për turizëm. Kështu e ka klasifikuar e përditshmja amerikane “Boston Globe” qytetin e Beratit. Krahas qytetit antik në jug të Shqipërisë, gazeta prestigjioze rendit edhe 9 vende të tjera në të gjithë botën, si destinacionet që duhen vizituar në vitin 2016.
“Ky vend nuk është për ata, që kanë një fizik delikat apo udhëtarët pa eksperiencë. Por, shpërblimi për ata që kanë durimin dhe planifikojnë të vizitojnë këtë qytet është i pamasë”, shkruan revista për qytetin e Beratit. Duke vënë në dukje izolimin e vendit gjatë periudhës komuniste, “Boston Globe” shkruan se, Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një vend të kërkuar nga turistët, nga e gjithë bota.
Megjithatë, gazeta vë në dukje se infrastruktura, nga rrugët te transporti publik dhe interneti, nuk janë ende në nivelin e kërkuar. Por – sipas saj, – për shkak të këtyre faktorëve, Shqipëria është ende një vend i pazbuluar dhe plazhet përgjatë rivierës së saj janë të mahnitshme.
Vitet e fundit, qyteti antik i Beratit po rekomandohet gjithmonë e më shumë nga mediat dhe agjencitë më prestigjioze në fushën e turizmit, si një nga vendet më tërheqëse të globit, që duhet vizituar. Pak muaj më parë, “Business Insider”, një nga revistat online më të mëdha në botë për ekonominë dhe financat, e klasifikonte qytetin antik si një nga 16 destinacionet turistike më tërheqëse në botë.
Dikur në kufijtë e Perandorisë Bizantine, qyteti i Beratit, në të cilin gjurmët e para të banimit datojnë që në shekullin e VII para erës sonë, ka një kala dhe një kishë bizantine të shekullit të XIII. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, ai konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.