Home / Sporti / Tomori triumfon ndaj Burrelit, rrëmben vendin e 2-të

Tomori triumfon ndaj Burrelit, rrëmben vendin e 2-të

Beratasit fitojnë pastër ndaj matjanëve dhe parakalojnë Kamzën. Çaushaj në krye të golashënuesve

Tomori shënon fitoren e dytë radhazi në stadiumin e Beratit, këtë herë përballë Burrelit, dhe ngjitet për herë të parë gjatë këtij sezoni në vend të 2-të, duke lënë pas Kamzën. Ka qenë një takim i bukur dhe me rivalitet, ku ka triumfuar klasi dhe forca e futbollistëve beratas, të cilët nuk lëshuan pe asnjëherë. Tomori e fillon lojën furishëm dhe kërkon të shënojë brenda 10 minutave të para dhe kjo do të ishte bërë realitet, sikur në minutën e 9-të, topi i goditur nga boshnjaku Feruzoviç të mos kishte goditur shtyllën. Pavarësisht mbrojtjes së kujdesshme të matjanëve, vendësit vijojnë të sulmojnë dhe promotor është mesfushori Çaushaj, i cili me lojën e tij kërkon të kompensojë mungesën e Roshit. Çela niset nga mbrojtja dhe kërcënon seriozisht me kokë, por topi nuk i bindet dhe përfundon jashtë. Vetëm një minutë më vonë, në të 18-ën, Klodian Arbri shfrytëzon mjeshtërisht një top të dhënë nga nipi i tij, Gersi, dhe e rrëshqet topin në krahun e djathtë të portierit Xhixha, duke e kaluar Tomorin në epërsi. Tashmë skuadra beratase është më e qetë dhe repartet lëvizin më lirshëm, por humben raste të pastra para portës mike. Matjanët kujtohen se janë në lojë vetëm pas minutës së 20-të, kur bëjnë presion me dy goditje këndi, që zgjidhen lehtësisht nga mbrojtja e ngjeshur e Tomorit. Me gjithë aksionet e rastet e shumta, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshhes me rezultatin 1-0, për ta lënë të hapur lojën në pjesën e dytë, që nis më e fortë dhe më e bukur. Veçanërisht Tomori ka raste ideale për shënim, por edhe për shkak të një terreni tejet të ngarkuar nga shiu, sulmuesit e tij humbasin shumë. Çaushaj këmbëngul për të shënuar golin e dytë të takimit dhe të 12-in për këtë kampionat, por nuk ka fat. Kështu ndodh deri në të 83-ën, kur ai nxjerr nga “arkivi” një gol mjaft të bukur, teksa plot intuitë driblon mbrojtësin kundërshtar dhe e dërgon topin në trekëndshin e majtë. Tashmë gjithçka duket se është mbyllur dhe matjanët dorëzohen. Tomori merr 3 pikë mjaft të rëndësishme, ndërsa Çaushaj shënon golin e 12-të. Beratasit ngjiten në vend të dytë, duke ndërruar vend me Kamzën. E rëndësishme është që Tomori në këtë takim, ndryshe nga ai me Gramozin, ka prodhuar një lojë mjaft të mirë dhe ka kënaqur sportdashësit e tij me një fitore të merituar.

Tomori – Burreli        2-0

Tomori: Dura, Ramazani, Muça, Çela, Feruzoviç, Çaushaj, Topi, Byzhyti (Hamzallari 85′), G.Arbri, K.Arbri (Roshi 66′), Hamzai (Galica 53′). Trajner: A.Bano.

Burreli: Xhixha, Mata, Frisku, Dika, Pepa, Balluku, Buna (Kasmi 66′, Vata 76′), Pjetrani, Shehi, Hoti, Kola. Trajner: L.Kola.

Shënues: K.Arbri 18′, Çaushaj 83′

Gjyqtarë: A.Kastrati, M.Qeseri, D.Çokaj (Shkodër)

Deklarojnë….

Artan Bano, trajner i Tomorit: “Kemi zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, pavarësisht terrenit të rënduar. Skuadra lëvizi mirë dhe futbollistët zbatuan detyrat. Rezultati 2-0 më kënaq, por ai mund të ishte më i thellë. Qysh tani duhet të mendojmë për takimin e radhës në Mamurras.”

Lulëzim Kola, trajner i Burrelit: “E kishim vlerësuar këtë takim, pasi dihen vlerat dhe pretendimet e Tomorit, por edhe për shkak të terrenit e meritë të skuadrës vendëse, nuk mundëm të merrnim rezultat pozitiv.”