Home / Njoftime / Takimi i fundvitit me mediat

Takimi i fundvitit me mediat

Kryetari i Bashkise Berat Z. Petrit Sinaj , ne mbyllje te vitit 2015, organizoi nje konference per shtyp  me perfaqesues te mediave.

 

Të nderuar përfaqësues të mediave ,
Më lejoni t’ju uroj së pari Gëzuar Festat dhe një vit më të mbarë dhe më të suksesshëm për ju, familjet tuaja por edhe për bashkinë tonë.

Besimi i qytetareve te Beratit eshte motivimi yne me i madh per te punuar me perkushtim, per t’iu pergjigjur sfidave te shumta te qeverisjes vendore, e per te krijuar mundesi zhvillimi per kete qytet qe kaq shume e meriton.

Gjej rastin qe ne kete fundvit te bej nje prezantim te shkurter te vitit 2015 dhe prioritetet e Bashkise Berat per vitin qe po vjen.

Viti 2015 ishte një vit i rëndesishëm për qeverisjen vendore në Shqipëri, duke patur parasysh zbatimin e reformës territoriale, e cila jo vetëm ka zgjeruar territoret e Bashkisë, por ka shtuar edhe shërbimet dhe kompetencat e saj.

Tashmë Bashkia Berat ka 98, 875 banorë dhe një sipërfaqe prej 380 km2 , ku Beratit tashmë i janë shtuar njësitë administrative Velabisht, Otllak, Sinjë dhe Roshnik.

Bazuar në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili do të hyjë në fuqi në 1 janar 2016, qeverisjes vendore, pra bashkisë, i transferohen disa funksione dhe përgjegjësi të reja për shërbime të rëndësishme publike, të cilat mund të kenë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik vendor.

Funksionet qe i shtohen Bashkise janë :

1. Qendrat e shërbimeve sociale;
2. Shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi;
3. Personelin mësimor dhe jo-mësimor në arsimin parashkollor;
4. Personelin jo-mësimor në arsimin parauniversitar;
5. Konviktet e arsimit parauniversitar;
6. Rrugët rurale
7. Administrimin e shërbimit pyjor.
8. Bordi kullimit.

Në të njëjtën kohë, për të gjitha funksionet e sipërcituara, Ministritë e linjës, Qarqet dhe institucionet e tjera qendrore janë të ngarkuara që para fillimit të vitit fiskal, pra brenda dhjetorit 2015, të transferojnë tek Bashkitë të gjithë dokumentacionin përkatës për kuadrin ligjor që rregullon ushtrimin e funksioneve, personelin, mjetet, asetet dhe të dhëna të tjera të nevojshme për ushtrimin efektiv të funksioneve.

Projekti i Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore është duke përfunduar një raport fillestar mbi funksionet e reja që janë transferuar tek njësitë e qeverisjes vendore. Ky raport do të përmbajë informacion mbi organizimin dhe funksionimin e funksioneve dhe një vlerësim të kostove të tyre financiare. Një ndër këto veprime është bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe donatorë të tjerë për të kryer një monitorim të implementimit të këtyre funksioneve të reja dhe përcaktimi i nevojave reale për shpenzime dhe sidomos investime, duke kontribuar kështu për ndërtimin e një skeme të qëndrueshme financimi për funksionet e reja.

Mbeshtetja kryesore per projektet e bashkise Berat per vitin 2016 do te jete Fondi per Zhvillimin e Rajoneve, nepermjet nje programi i cili përbëhet nga tre shtylla kryesore:

Shtylla I : Programi i zhvillimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale vendore. Granti për infrastrukturën vendore dhe rajonale. Granti për arsimin dhe sportin . Granti për shëndetësinë . Granti për artin dhe kulturën. Granti për ujësjellës-kanalizime. Granti për rehabilitimin mjedisor, gjelbërimin dhe pyllëzimin .

Shtylla II : Programi i mbështetjes së ekonomisë . Nën-programi i financimit të pjesëmarrjes në shoqëri tregtare dhe instrumenta të financimit për bizneset . Nën-programi i mbështetjes financiare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme .

Shtylla III : Programi Shqipëria dixhitale . Granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit.

Në të treja shtyllat Bashkia Berat ka gati projekte për të aplikuar .

Në bashkë financim me FZHSH do hartojmë 5 projekte te reja gjatë 2016 si :

Rikualifikim dhe rikonstruksion i sheshit agjensia (Sheshi ‘’Harmonia Fetare’’) dhe fasadat e lagjes aty
Rikualifikim dhe rikonstruksion i rrugës “Muzak Topia”
Rikualifikim i fasadave përgjatë gjithë rrugës “Antipatrea”
Rikualifikim dhe rikonstruksion i rrugës “Agron Elezi”

PROJEKTET E TJERA

a) Kanë kaluar fazën përfundimtare dhe presin financim gjatë 3-mujorit të parë :
1. K.U.Z fshati Lapardha në vlerë mbi 90 milionë lekë.
2. K.U.Z fshati Mbreshtan në vlerë mbi 60 milionë lekë.
3. Është në tenderim vazhdimi i pedonales nga sheshi kryesor deri tek stadiumi i vjetër me vlerë mbi 160 milionë lekë.
4. Rruga Stadiumi i vjetër – Stadiumi i ri me vlerë 400 milionë lekë.
5. Parmakët, ndriçimi dhe riveshja e rrugës Ura e varur – Ura e Goricës me vlerë mbi 60 milionë lekë.
b) Mbi 10 projekte janë në diskutime në sekretariatet teknike të institucioneve. Si shkolla, kopshte, qëndra shëndetësore dhe rikualifikime rrugë lagjesh dhe lulishte, kjo edhe sipas propozimeve nga komisionet apo dhe nga dëgjesat publike.
c) Me Ipat-Stategjike po hartohen projekte për parkun kombëtar të Tomorrit dhe rruga që të con aty. Për zonën e mbrojtur të qytetit si lagjet Goricë, Kala dhe Mangalem etj… Për tregun e shitjes me shumicë fruta – perime në Moravë etj.
d) Me USAID, po hartohet plani i përgjithshëm rregullues i Bashkisë Berat, i cili përfundon në dhjetor 2016.
e) Me ministrinë e Zhvillimi kemi në diskutimet e fundit dy projekte, për pjesën fundore të lagjes Pjeshkorja dhe riparim ndërtesash të komunitet rom.
f) Me Fondacionin Shqiptaro- Amerikan per Zhvillim po negociojmë për projektin e radhës për lagjen Kala dhe Goricë.
g) Projekti me borxhin Italian ka të bëjë me ndërthurjen e turizmit historiko-kulturor,
agro-turizmit dhe zhvillimin e iniciativës turistike.
h) Me ndërmarrjet e varësisë kemi kthyer dhe po kthejmë në funksion të qytetarëve mijëra metra katrorë ndërtime të paligjshme, apo edhe zaptime të pronës publike në lulishte, kënde lojërash etj. në çdo lagje të bashkisë. Ky aksion vazhdon!

Duke qenë se qyteti i Beratit ka një strategji zhvillimi të orientuar kryesisht tek turizmi historik dhe kulturor dhe zhvillimi i ago-biznesit, prioritet do të kenë projektet e fokusuara tek rijetëzimi i trashëgimisë kulturore kombinuar me agro-turizmin dhe turizmin e aventurës, duke kombinuar trashëgiminë kulturore që ofron Qendra Historike me resurset natyrore të Parkut të Tomorrit, Zonës së Shpiragut dhe peisazhit natyror që ofron Rajoni.
Me përfundimin e aksit nacional Lushnje-Berat, gjatë vitit 2015 pati nje rritje rreth 34% të numrit të turistëve,krahasuar me vitin 2014, duke shënuar 40, 447 vizitorë. Sikundër mund të jeni në dijeni,“Boston Globe” në një shkrim të tijin për destinacionet turistike që mund të vizitohen në vitin 2016,ka përfshirë edhe Beratin si një ndër 10 destinacionet që u rekomandohen vizitorëve .

Bashkia Berat do të mbështesë dhe nxisë më tej turizmin historik dhe kulturor në qytetin e Beratit përmes lehtësimit te procedurave dhe politikave fiskale të banorëve për vetëpunësim në këtë fushë, nxitjen e turizmit familjar dhe organizimin e eventeve kulturore ne Qendren Historike.

Ndër sfidat në bashkinë e re është menaxhimi i mbetjeve urbane, i cili do te behet i mundur fale mbështetjes se projektit të Kooperimit Zvicerian për menaxhimin e mbetjeve dhe sistemimi i rrjetit të ujesjelles kanalizime nepermjet kredisë së ofruar nga Banka Gjermane KFË.

Ripërtëritja e jetës kulturore, por dhe zhvillimi i ambienteve për të rinjtë, është tjetër prioritet i Bashkise Berat e cila do të investojë për vitin 2016 ngritjen e një Qendre Rinore të menaxhuar nga Bashkia për të nxitur përfshirjen e të rinjve në jetën sociale të qytetit .

Në vitin 2016, parashikohen shpenzime shtesë per shkollat dhe kopshtet e njësive administrative për plotësimin e standardeve të miratuara të institucioneve arsimore, si ne aspektin fizik, të sigurise dhe shëndetit, te ushqimit, ashtu dhe të shërbimit ndaj nxenesve dhe personelit mesimor ne to.
Viti 2016 është viti i sfidave, por edhe i mundësive të medha. Ne jemi plotësisht të angazhuar të jemi në lartësinë e pritshmërive më të mëdha të qytetareve Beratas dhe të punojmë me përkushtim për qytetin që të gjithë e duam. Së bashku, do të bëjmë që në këtë vit që vjen Berati të ketë më shumë zhvillim e punësim, më tepër kujdesje për shtresat në nevojë, shërbime më cilësore dhe një të ardhme më të mirë.

 

Ju faleminderit, e Gëzuar Vitin e Ri 2016!