Home / Aktivitete / SOFRA BERATASE

SOFRA BERATASE

Ditën e djeshme Bashkia e Beratit organizoi aktivitetin “SOFRA BERATASE 2019”. Sofra beratase mirëpriti personalitete me kontribut të spikatur në jetën e qytetit gjatë vitit që lamë pas, si dhe personalitete të rëndësishme të cilat i përkasin jetës publike, biznesit si dhe organizatave jofitimprurëse. Gjatë aktivitetit u shpërndanë çmimet “Njeriu i vitit 2018” për znj. Lejla Hazdic, z. Simon Vrusho dhe z. Myrto Uzuni.
Znj. Lejla Hazdic u nderua me këtë çmim për rolin e saj të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore duke kontribuar në nxjerrjen në pah të vlerave kulturore dhe të tipologjisë ndërtimore të qytetit të Beratit, për restaurimin e banesave duke prezantuar denjësisht qytetin e Beratit si brenda dhe jashtë vendit.
Z. Simon Vrusho për kontribuin e tij në çeljen e muzeut “Solomoni”, i pari muze në vendin tonë kushtuar hebrenjve, i cili shumë shpejt u kthye në një qendër pelegrinazhi që është vizituar nga qindra turistë nga 40 shtete, njëkohësisht dhe për prezantimin dinjitoz të qytetit të Beratit, si një vlerë e shtuar në panteonin e muzeologjisë botërore.
Z. Myrto Uzuni si një figurë e re plot shpresë dhe të ardhme në fushën e futbollit shqiptar, për rezultatet mbresëlënëse gjatë vitit 2018 në kampionatin e futbollit kroat si dhe atë kombëtar, një pikë referimi frymëzuese për brezat e rinj dhe një qytetar model, i cili është kthyer në një ambasador i qytetit të Beratit nëpër botë.
Përfaqësues kryesor në aktivitet ishin z. Petrit Sinaj, Kryetari Bashkisë së Beratit, z. Harilla Dafa, Prefekt i Qarkut Berat, si dhe z. Artion Duka, Drejtor i Policisë Vendore. Në fjalën e tij, z. Sinaj përshëndeti pjesëmarrrësit, si dhe uroi fituesit e çmimit për shembullin e tyre tejet pozitiv dhe frymëzues për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe komunitetin e qytetit të Beratit në veçanti.
Ceremonise iu bashkua edhe prezantimi i “Sofrës beratase”.
“Sofra beratase” këtë vit u konceptua si një sofër e cila mirëpret, jep vlerësime dhe urime. Aktiviteti u zhvillua në frymën e traditës më të mirë të mikpritjes dhe gatimit beratas. Ai u parapri nga një panair punimesh dhe gatimesh artizanale. Gjithashtu gjatë aktivitetit u promovua dhe u synua të nxitej tradita më e mirë e gatimeve tipike të qytetit. Për këtë arsye u krijua një sofër simbolike, e cila përfshiu disa nga gatimet tipike të qytetit të Beratit. Gatimet më përfaqësuese të qytetit i përkasin përiudhës së fundvitit dhe për këtë arsye u zgjodh kjo periudhë kohore për të promovuar edhe artin e gatimit beratas. Partnerët mbështetës të Bashkisë Berat në “Sofrën beratase” ishin shkolla e mesme profesionale “Kristo Isak”, organizata CESVI, Qendra e Artizanatit “Margarita” dhe Shoqata BID Berati.